Exclusive/ Nga diktatura staliniste në demokraci, rrëfehet ish-ambasadori amerikan Hill: Shqipëria kishte shumë trauma, një i moshuar më tha…

07/12/2025 22:08

Muaji dhjetor nuk ka vetëm gëzimin e festave të ndërrimit të viteve, por mbi të gjitha, kujton ndjesinë e ndryshimit të sistemeve, kthesën historike të nisjes të rrëzimit të komunizmit me lëvizjen studentore.

Hapja e Shqipërisë me botën demokratike lidhet pa diskutim me Christopher Hill, diplomatin amerikan që u ngarkua me misionin si ambasadori i parë amerikan pas diktaturës në Shqipëri.

Me një karrierë të gjatë diplomatike në rajonin e Ballkanit, Hill është një dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrugëtimit të Shqipërisë, nisur nga pika zero e demokracisë deri te realiteti i sotëm 35 vite më vonë, ende me të njëjtat thirrje të Shqipërisë për në Europë.

Kristi Gongo: Zoti ambasador faleminderit për kohën për intervistën tejet të çmuar. Së pari, mund të ndani me ne sekretin e suksesit në diplomaci?

Hill: E di që një nga mesazhet kryesore sot është se për të pasur sukses, duhet të dëgjosh më shumë se gjysmën e kohës. Unë jam përpjekur të bëj pikërisht këtë. Sidomos kur përballesh me situata komplekse, duhet të pranojmë dhe ta kuptojmë kompleksitetin, dhe kjo kërkon shumë dëgjim.

-Si e fituat ju besimin e Amerikës për të kontribuar në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Hill: Mendoj se nga perspektiva e SHBA-së, ata shohin një botë të madhe atje jashtë dhe me shumë probleme. Njerëzit që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve trajtohen mirë, dhe prandaj unë përpiqesha të zgjidhja disa probleme. Nuk i zgjidhja dot të gjitha, por pata disa suksese.

-Z. Hill, ju ishit përfaqësues si “Chargé d’Affaires ad interim” në Tiranë kur u rihap ambasada amerikane ne Shqipëri ne 1 tetor 1991, pas një shkëputje goxha të gjatë mes dy vendeve.

Hill: Mendoj se diplomatët tanë u larguan në nëntor të vitit 1946, nëse nuk gaboj, dhe pastaj e rihapëm më 1 tetor 91. Duhet ta kuptoni që në shpirtin e çdo amerikani është kjo ideja e shkuarjes drejt një fronti të ri, të qënurit pionier, e dini, kjo është Amerika bazike. Dhe kështu, kur dikush thotë se do të hapësh një ambasadë që nuk është hapur më parë, ti je një inovator i vërtetë, një lloj pionieri diplomatik. Prandaj duhet t’ju them që ishte me emocion dhe kënaqësi absolute që erdha në Shqipëri, dhe e dini, mendoj se diplomatët e suksesshëm janë njerëz që i përkushtohen me të vërtetë çështjeve, i mirëpresin sfidat, përqafojnë problemet, dhe unë përpiqesha të bëja këtë gjatë gjithë kohës që isha këtu.

-A mund të na tregoni se si e gjetët Shqipërinë në ato momente ndryshimesh nga diktatura staliniste në demokraci?

Hill: Gjëja e parë që duhet kuptuar është se me të vërtetë ishte një diktaturë staliniste. Ishte më mirë në kohën kur hapëm ambasadën në ’91 sesa kur Enver Hoxha ishte gjallë disa vite më parë, me një diktaturë shumë brutale. Mendoj se kishte shumë trauma, dhe shumë të tjera pasuan pas kësaj. Prandaj mendoj se ishte shumë e rëndësishme që ambasada amerikane të rivendosej. Gjithmonë më vjen në mend një bisedë me një grup njerëzish, ku një burrë i moshuar mu afrua dhe më tha: ‘Mos na lërni më kurrë.’ Pra ishte një çast ku përjeton ndjenjën e përgjegjësisë. Momentet e tilla më bënin vërtet të doja të ndërtoja një marrëdhënie, dhe jam shumë i kënaqur që kisha një rol në këtë proces, po ashtu si shumë, shumë nga pasardhësit e mi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta