Forbes: Eric Trump u bë 10 herë më i pasur pas rizgjedhjes së babait të tij President i SHBA

06/12/2025 09:41

Pasuria e Eric Trump, djalit të dytë të Presidentit amerikan Donald Trump, është rritur me ritme marramendëse që prej rizgjedhjes së të atit.

Sipas Forbes, vlera e tij neto ka arritur sot në 400 milionë dollarë, duke e renditur atë të dytin më të pasur në familjen Trump, menjëherë pas Presidentit.

Shtysa kryesore e këtij “shpërthimi financiar” është përfshirja e Eric Trump në biznesin e kriptomonedhave, në veçanti Bitcoin. Pika e tij më e fortë është kompania American Bitcoin, e cila merret me prodhimin dhe mbajtjen e Bitcoin-it.

Kompania zotëron 3,418 Bitcoin, me vlerë rreth 320 milionë dollarë, ndërsa vlera e saj totale vlerësohet tashmë në 2 miliardë dollarë. Eric ka 7.3% të aksioneve, një pjesë që përkthehet në rreth 160 milionë dollarë.

Në paraqitjet e tij publike, ai ka theksuar ambicien për ta kthyer American Bitcoin në liderin global të industrisë:

“Ne duam të bëhemi kompania përfundimtare e kriptomonedhave në botë,” deklaroi ai.

Historia e projektit nis në vitin 2021 me themelimin e American Data Centers, e cila më pas u bashkua me kompaninë minerare Hut 8. Po atë vit, American Bitcoin realizoi një tjetër bashkim të rëndësishëm me Gryphon, duke zgjeruar kapacitetet e saj dhe duke tërhequr vëmendjen e investitorëve.

Edhe pse vlera e aksioneve ka pasur luhatje, fillimisht u rrit në 14.52 dollarë e më pas ra nën 10, kompania mbetet një nga asetet më të fuqishme në portofolin e Eric Trump.

Përveç Bitcoin-it, Eric ka përfituar ndjeshëm edhe nga Ëorld Liberty Financial, kompania e re e menaxhimit të kriptovalutave e themeluar nga Donald Trump me djemtë e tij para zgjedhjeve.

Nga ky projekt vetëm, Eric ka fituar rreth 135 milionë dollarë, duke e konsoliduar pozicionin e tij si një nga investitorët më aktivë të familjes në teknologjitë financiare.

Interesi i publikut dhe i tregjeve për bizneset e klanit Trump është rritur sërish pasi Donald Trump u rikthye në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në vitin 2022, Eric arriti marrëveshje të rëndësishme në Arabinë Saudite, Dubai dhe Vietnam, që i sollën familjes rreth 3.2 milionë dollarë, ndërsa projekte në Katar, Indi, Rumani dhe Maldive pritet të sjellin fitime të tjera në vitet e ardhshme.

Pjesa e Eric në Organizatën Trump vlerësohet sot në 34 milionë dollarë.

Me një pasuri që rritet shpejt dhe një profil publik gjithmonë e më të fuqishëm, Eric Trump nuk e ka fshehur idenë se mund të hyjë vetë në politikë një ditë. Sipas deklaratave të tij, ai nuk përjashton mundësinë e kandidimit për president në të ardhmen.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta