30 milionë dollarë kompensim për familjen e 16-vjeçarit që u vra nga oficeri i policisë në San Diego
Në një reagim të gjatë në Facebook, Ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli, ka deklaruar ndër të tjera se çështja e detit me Greqinë është një interes kombëtar që po trajtohet pa transparencë dhe jashtë procedurave kushtetuese.
Sipas tij dakordësitë e arritura në negociatat e 2018, ku Shqipëria fitoi njohje të vijës së drejtë bazë dhe rreth 40 km² hapësirë detare, rrezikohen të humbasin nëse çështja çohet e gjitha në Hagë.
Meta shton se raporti i kompanisë “Omnis Strategy”, paralajmëron këtë rrezik, ndërsa institucionet shqiptare nuk janë informuar plotësisht, thotë ai.
Ish-presidenti Meta kërkon transparencë të plotë, përfshirje institucionale dhe konsultim me negociatorët e 2018 dhe ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Reagimi i plotë:
Çështja e Detit është jo vetëm shumë herë më e “thellë” se vetë Deti Jon, por edhe aq e shëmtuar fatkeqësisht, në kontrast të plotë me bukurinë përrallore të Jonit.
Këtë çështje, për shkak të detyrave shtetërore, kam qenë i detyruar ta ndjek për gati 13 vjet, prej funksioneve të larta, nga Ministër i Jashtëm në shtator 2009 e si President i Republikës deri në korrik 2022.
Akti i fundit zyrtar që kam bërë si President i Republikës, ishte informimi zyrtar nominal i çdo deputeti të Kuvendit lidhur me ecurinë e kësaj çështjeje gjatë pesë viteve që unë shërbeva si President i Republikës.
Ky akt synonte, jo vetëm realizimin e një transparence, por edhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e vëmendjes që kërkonte kjo çështje tejet e koklavitur, por kurrë prej meje.
Dihet se falë ankimit të Partisë Socialiste, Gjykata Kushtetuese u investua duke nxjerrë një vendim të posaçëm kushtetues si udhërrëfyesi i vetëm për parimet dhe rrugët e negocimit deri në përcaktimin në detaje të rolit të çdo institucioni shtetëror.
Në respekt të këtyre detyrimeve kushtetuese, kam bashkëpunuar me Qeverinë, duke dhënë edhe autorizimin për krijimin e grupit negociator.
Por çuditërisht, në vitin 2018, pala greke kërkoi të operohej në bazë të vullnetit politik, çfarë nuk ishte kompetencë e grupit negociator.
Në këto rrethana të reja, si President i Republikës pres në takim Kryeministrin Rama për të ecur drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila tani kishte vetëm një rrugë, autorizimin e Kryeministrit për drejtimin e negociatave.
Për mua kjo ishte plotësisht e logjikshme, duke patur në konsideratë se Kryeministri ishte edhe bartës i vullnetit të shumicës në Kuvend, roli i të cilit ishte dhe mbetet i pashmangshëm në çdo marrëveshje të tillë.
Por dakordësia e këtij takimi jo vetëm që nuk u shoqërua kurrë me një kërkesë për autorizim nga Kryeministri dhe Qeveria, por përkundrazi, u shoqërua me një ndërprerje të njëanshme të komunikimit institucional për këtë çështje, për të vazhduar më tej me dizinformacione ndaj palës greke sikur Presidenti i Republikës bllokonte procesin, aq sa z. Avramopulos u habit pas takimit me mua për dy histori krejt të ndryshme që dëgjonte për të njëjtën çështje.
Jo vetëm kaq, por Qeveria vazhdonte sjelljet e saj jotransparente dhe Kryeministri, si shejtan-budalla, bënte edhe deklarata publike për këtë çështje, të cilat mund të rëndonin pozitën e shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare.
Aq shumë ishte helmuar pala greke me dizinformacione sa Ministri i Jashtëm atëkohë, z. Dendias, në maj 2022, pasi i refuzoi Ministres së Jashtme modifikimin e dakordësisë së 20 tetorit 2020 që kishte arritur me Kryeministrin Rama, deklaroi se puna për mbylljen e marrëveshjes së Detit do të fillonte sapo në zyrë të hynte Presidenti i ri i Shqipërisë (pra të ikte Meta).
Sot që unë po shkruaj këto radhë kanë kaluar tre vjet e gjysmë që nuk jam në zyrën e Presidentit, por jam në një “zyrë” të re edhe për shkak të (mos) Marrëveshjes së Detit.
Meqenëse këtu në “zyrën” e re, u informova nga mediat shqiptare, të cilat ishin informuar nga mediat dhe autoritetet greke, për vizitën e afërme të Ministres së Jashtme të vendit tonë, ku theksohej se temë kryesore do të ishte edhe çështja e Detit, vetëm në interes të suksesit të kësaj vizite, por edhe mbrojtjes konstruktive e legjitime të interesave sovrane të Shqipërisë, do të doja të ndriçoheshin sa të ishte e mundur disa pyetje dhe disa çështje jetike, për të cilat nuk flitet askund.
Në 20 tetor 2020, Rama-Dendias ranë dakord të shkojnë në Hagë për Detin, si dhe të shkojnë për gjithë çështjen, duke bërë kështu nul negociatat dhe dakordësitë e vitit 2018.
Kur u mor vendimi nga Kryeministri, nuk kishte dhe ende nuk ka (në dijeninë time) grup negociator.
Pas autorizimit duhet të ngrihet grupi negociator për hartimin e marrëveshjes speciale të ratifikuar nga dy vendet dhe që i paraqitet Gjykatës Ndërkombëtare.
Kjo marrëveshje përmban pyetjet për gjykatën, që zakonisht kërkon zgjidhjet për mosdakordësitë.
Vendimi i Kryeministrit Rama për të shkuar në Hagë për të gjithë çështjen është jashtë kompetencave të tij kushtetuese dhe ngritja e grupit sot nënkupton legjitimimin e vendimit të tij (faktit të kryer).
Çfarë u arrit në vitin 2018 sipas dijenisë time?
U reflektuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese:
– Titulli i marrëveshjes, parimi i delimitimit, me distanca të barabarta dhe korrektuar për equitenë,
– U hoq neni 2 i marrëveshjes,
– U vlerësua kufiri në Gjirin e Ftelias.
Përveç këtyre, Greqia njohu vijën e drejtë bazë të Shqipërisë me efekt 40 km² dhe si bazë ligjore në tekst u përfshi Protokolli i Firences i vitit 1925 për kufijtë tokësorë.
U dakordësua teksti i marrëveshjes, vija me distanca të barabarta, si dhe parimi i equitesë për shkëmbinjtë në detin territorial dhe ishujt në shelfin kontinental dhe ZEE.
Çfarë ndodh nëse shkojmë për të gjithë çështjen në Hagë?
Dakordësitë e 2018 bëhen nul dhe e gjithë çështja konsiderohet mosdakordësi.
Bie përfshirja e Protokollit të Firences 1925 në draft-marrëveshje.
Bie sipërfaqja 40 km², sepse rrezikojmë të na rrëzohet vija e drejtë bazë.
Nëse shkohet për të gjithë çështjen në Hagë, vija e drejtë bazë do të përbëjë mosdakordësi dhe do merret në shqyrtim nga GJND dhe gjasat janë ta rrëzojë (precedenti Somali-Kenia).
E vetmja mundësi që Greqia të rrëzojë vijën e drejtë bazë të Shqipërisë është një vendim gjykate.
Ndërkohë që Greqia e njohu në negociatat e 2018, sepse nuk kishte mundësi ta kontestonte në rrugë diplomatike.
Kështu do të humbisnim edhe 40 km². (Përse?)
Këtë në dijeninë time e konfirmon edhe kompania e znj. Blair “Omnis Strategy”, që u pagua 3 milion euro dhe dorëzoi raportin final me konkluzionin se “rrezikoni vijën e drejtë bazë në Hagë”.
Ishte pikërisht ky raport dhe konkluzion i “Omnis Strategy” që e detyroi Ministren e Jashtme, znj. Olta Xhaçka në maj 2022, t’i kërkonte homologut grek z. Dendias modifikimin e dakordësisë të 20 tetorit 2020 Rama-Dendias, që u refuzua nga ky i fundit, që mezi priste largimin e Presidentit të Republikës.
Meqenëse po bëhen katër vite që e kemi paguar 3 milion euro “Omnis Strategy”, kur do të njihemi me konkluzionet dhe vlerësimet e saj?
A e ka Presidenti i Republikës këtë raport të plotë? Po Kryetari i Kuvendit?
Po Kryetarët e Grupeve Parlamentare? Po Komisioni i Ligjeve? Po Komisioni i Jashtëm?
A janë në dijeni këto institucione dhe funksionarë për shkak të detyrës së tyre nëse Greqia ka dorëzuar një draft të marrëveshjes speciale për negocim?
Po për përmbajtjen e draft-marrëveshjes të MEPJ?
Për çfarë do shkohet në Hagë?
Për të gjithë çështjen apo vetëm për çfarë nuk është rënë dakord në 2018?
A ka përputhje dhe për çfarë çështjesh midis draftit grek dhe atij shqiptar për marrëveshjen speciale?
Ju lutem të gjithëve të mos e trajtoni çështjen e Detit si tokat e Gjipesë ose tender sekret, sepse nuk do të ketë më mundësi korrigjimi.
Ndaj, në mënyrë transparente, konstruktive dhe profesionale, ndihmojeni edhe Ministren e Jashtme të ketë një vizitë të suksesshme në Athinë.
Edhe një konsultë me negociatorët e 2018, nuk do të ishte humbje kohe.
Po kështu edhe me ish-anëtarët e nderuar të Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel