“Përdoreshin për të organizuar dhe kryer aktivitete terroriste”, Rusia bllokon aksesin në rrjetin ‘Snapchat’

05/12/2025 11:12

Autoritetet ruse bllokuan aksesin në Snapchat dhe vendosën kufizime në shërbimin e thirrjeve video të Apple, FaceTime, një hap i fundit në përpjekjen për të rritur kontrollin mbi internetin dhe komunikimet online.

Rregullatori shtetëror i internetit, Roskomnadzor, deklaroi se të dy aplikacionet po përdroheshin për të “organizar dhe kryer aktivitete terroriste, për të rekrutuar autorë dhe për të kryer mashtrime dhe krime të tjera kundër qytetarëve”. Apple dhe Snap Inc. nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Sipas “The Guardian”, Roskomnadzor tha se veprimet kundër Snapchat u ndërmorën më 10 tetor, por u raportuan vetëm javën e kaluar. Ky veprim vjen pas kufizimeve të vendosura më parë ndaj YouTube, WhatsApp, Instagram dhe Telegram, pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin në 2022.

Nën qeverisjen e Putinit, autoritetet kanë zhvilluar një përpjekje sistematike për të frenuar internetin, duke miratuar ligje kufizuese dhe duke ndaluar platformat që nuk i përmbahen rregullave. Teknologjia po përdoret gjithashtu për të monitoruar dhe manipuluar trafikun online.

Ndërprerja e aksesit në YouTube vitin e kaluar u konsiderua një kufizim i qëllimshëm i faqes nga autoritetet, të cilat fajësuan Google për mosmirëmbajtje të pajisjeve të saj në Rusi.

Edhe pse disa kufizime mund të shmangen me rrjete private virtuale (VPN), ato bllokohen rregullisht. Autoritetet kanë ndërprerë lidhjet e internetit celular për të parandaluar sulmet ukrainase me dronë, ndërkohë që ekspertët i shohin këto masa si një mënyrë për të shtuar kontrollin mbi internetin.

Përveç kësaj, disa platforma mesazhesh janë bllokuar, përfshirë Signal dhe Viber në 2024, si dhe WhatsApp dhe Telegram këtë vit. Autoritetet promovojnë një aplikacion kombëtar mesazhesh, Max, i cili kritikohet si mjet mbikëqyrjeje, pasi ndan të dhënat e përdoruesve me autoritetet dhe nuk përdor enkriptim të plotë.

Më herët këtë javë, qeveria njoftoi bllokimin e Roblox, një platformë e njohur lojërash online, me arsyetimin e mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtja e paligjshme dhe pedofilët. Roblox kishte gati 8 milionë përdorues mujorë në tetor.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Stanislav Seleznev, shpjegoi se ligji rus e konsideron çdo platformë mesazhesh si “organizatore të shpërndarjes së informacionit”, dhe kërkon që platformat të regjistrohen pranë Roskomnadzor dhe të japin akses në llogaritë e përdoruesve për FSB-në.

Seleznev vlerësoi se dhjetra miliona rusë përdornin FaceTime, sidomos pas bllokimit të WhatsApp dhe Telegram. Ai i quajti kufizimet “të parashikueshme” dhe paralajmëroi se platformat që nuk bashkëpunojnë me Roskomnadzor “do të bllokohen – kjo është e qartë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta