Në një sallë plot me figura të njohura politike nga vendi dhe trojet, artistë dhe shumë personazhe të tjera, Fondacioni ‘Fundjavë Ndryshe’, ka festuar 10 vjetorin e krijimit të saj.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili mbajti edhe një fjalim. Rama u ndal te misioni i këtij fondacioni, ku falënderoi dhe uroi për jetëgjatësi të kësaj nisme drejtuesin e fondacionit, Arbër Hajdarit.
Në nisje të fjalimit Rama kujtoi njohjen me Hajdarin, teksa tha se ai ka qenë pjesë e FRESH, ndërsa në mbyllja të fjalës së tij, iu drejtua duke i thënë se nëse do të futet në politikë, të bëhet gati dhe të mos habitet nëse gjysma e sallës sot, nuk do ta shihte dot me sy.
“Asnjëherë s’ma ka marrë mendja që të do dilja para një kongresi të të gjitha palëve, dhe për këtë dua të falënderoj Arbrin. Duke dashur të mbetet konsensual, e ka fshehur nga biografia që jetën kur doli nga duart e Çimit, e ka filluar si anëtar i FRESH, dhe unë nuk kam asnjë rrugë tjetër veçse t’ia kujtoj biografinë.
Bamirësia e vërtetë nuk është bujari me atë që ke tepër, por është bujari në radhë të parë me vetveten. Bujari që mishërohet te shprehja ‘lum kush jep, jo kush merr’, dhe faktikisht bamirësia është një vendim për ta hapur veten ndaj tjetrit dhe për të mos e parë tjetrin si një barrë kur ai është në vështirësi, por si një pasqyrë ku reflektohet masa e njerëzillëkut që ke vetë.
Ajo që ndodh me këtë fondacion, është ndërtimi i zakoneve të zemrës dhe natyrisht që mes këtyre zakoneve të mbledhura bashkë për të bërë një zakon të një grupi njerëzish, stërvitja e shpresës dhe disiplina e bamirësisë janë dy zakone që qëndrojnë detyrimisht më lart se zakonet e tjera.
Arbër, Fundjava Ndryshe është një palestër e shpresës, dhe trajner i disiplinës.
Nuk e kuptova ç’deshe të thuash kur the ‘nëse nuk do jem unë’, se nuk po e them unë këtë jo ti, por uroj që ta vazhdosh dhe gjysma e njerëzve këtu që mua s’më shohin dot me sy, ty të të duan dhe të respektojnë, dhe ti ndërkohë të stërvitesh që kur të futesh një ditë në politikë, të mos habitesh që gjysma e këtyre që janë këtu të të mos të shohin dot me sy”, tha Rama.
Arbër Hajdari i është përgjigjur kreut të qeverisë duke i thënë se ai ka qenë pjesë e FRESH, po është ish-aktivisti i parë dhe i vetëm që është larguar nga Forumi Rinor Socialist ditën kur PS ka ardhur në pushtet.
“Nuk isha përgatitur për të mbajtur një fjalim këtu, por parafolësi im foli aq bukur saqë doja të dilja që të mos harroni që kryetari jam unë këtu. Zanafilla e njohjes tonë është siç the, por me një ndryshim, që unë besoj që jam një nga ish-aktivistët e parë dhe të fundit që do ta lija FRESH në ditën e parë që PS erdhi në pushtet. Sepse unë nuk jam bashkuar kurrë për pushtet, por për idealet e mija. Familja ime ka qenë themeli dhe mbështetja e punë dhe misionit tim. Babai më mësoi me shembullin e tij se duhet të jesh i dobishëm për të tjerët, se nderi dhe karakteri dhe dinjiteti janë pasuria më e madhe që mund të ketë një njeri”, tha Hajdari ndër të tjera, teksa falenderoi familjen e tij.
Top Channel