“Po falimentojmë”, pronarët e bizneseve të Patosit në protestë pas ndërprerjeve të energjisë elektrike, fajësojnë ‘Albpetrol’

04/12/2025 13:48

“Po falimentojmë. Po na digjen pajisjet, dhe po hedhim mallin poshtë”. Kështu janë shprehur në protestën e tyre pronarë të bizneseve të ndryshme në fshatin “Ofiçinë të Vjetër” të bashkisë Patos.

Ata pohojnë njëzëri në kulmin e indinjatës se prej tre muajsh ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike, po i paralizojnë në aktivitetet e tyre, duke i çuar drejt falimentimit. Jemi 30 familje dhe 11 biznese që furnizohemi nga linjat e naftës, dhe pavarësisht se jemi taksapagues të rregullt, jemi né situatën e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë. Dyqane mishi, furra buke, markete, lavazho, fabrika vaji , janë duke u përballur me stopim të aktivitetit dhe humbje të mëdha financiare.

“Nuk dimë ku të ankohemi”, thonë ata, ndërsa për riparimin e defekteve kanë paguar edhe vetë, por pavarësisht kësaj, problematika vijon të mbetet e pandryshueshme.

Aktiviteti jonormal i këtyre bizneseve ka penalizuar jo vetëm banorët e zonës, por edhe të fshatrave përreth. Ata apelojnë njëzëri për zgjidhje te shpejtë, ose shkëputje nga linjat e naftës.

Ndërkohë burime nga kompania “Albpetrol” bëjnë të ditur se ndërprerjet kanë ndodhur për shkak të proceseve teknologjike që vetë kompania kryen, ndërsa mohojnë faktin se ndërprerjet janë të shpeshta. Po sipas të njëjtave burime “ Albpetrol” është në tratativa me OSHE, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për banorët e zonës që furnizohen nga linjat e naftës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta