Video/ Humbja turpëruese, sherr i paprecedentë në ajër mes tifozëve dhe lojtarëve të skuadrës italiane
Mbrojtësi francez Philippe Lanquetin, 20 vjeç, është dënuar me 12 muaj burg dhe dy vite të tjera me kusht, pasi shkaktoi një aksident të rëndë rrugor që la një person të paralizuar përgjithmonë.
Futbollisti, i cili luante për ADO Den Haag në huazim nga Estoril, është përjashtuar menjëherë nga klubi holandez pas vendimit të gjykatës.
Lanquetin është dënuar gjithashtu me pesë vite heqje të patentës dhe detyrohet të paguajë kompensim për viktimat.
Gjykata në Compiegne, në veri të Parisit, e shpalli fajtor për plagosje të rëndë nga pakujdesia, drejtim mjeti pa leje dhe pa siguracion. Sipas dosjes, ai shkaktoi një zinxhir përplasjesh me tre automjete, në tetor 2023, duke udhëtuar me shpejtësi të lartë në autostradën A1.
Testet treguan se futbollisti kishte konsumuar alkool dhe cannabis, ndërsa në makinën e tij u gjetën edhe bombola gazi të qeshjes. Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit, kohë kur Lanquetin ishte vetëm 18 vjeç.
Një nga drejtuesit e automjeteve të përfshira, zyrtari francez Farid Baho, qëndroi mbi një vit në spital dhe u lëndua rëndë me fraktura të shumta. Ai ka mbetur i paralizuar dhe do të jetojë përgjithmonë në karrocë me rrota, ndërsa motra e tij ka braktisur punën për t’u kujdesur për të.
“I jetoj në frikë të përhershme,” tha Baho në gjykatë. “Kam qenë mbi një metër e tetëdhjetë, por sot më duket sikur jam vetëm gjashtëdhjetë centimetra.”
Avokati i tij, Marc-André Ceccaldi, theksoi se Baho ka nevojë për gjashtë orë ndihmë çdo ditë dhe është plotësisht i varur nga motra.
Gjyqtari iu drejtua futbollistit: “U ulët në timon pa qenë i aftë ligjërisht dhe nisët një udhëtim të gjatë në autostradë. Ky është rrezik i qartë.”
Pas vendimit, ADO Den Haag deklaroi se e ka pezulluar menjëherë lojtarin dhe se kishte planifikuar ndërprerjen e huazimit që në merkaton e janarit. Klubi shtoi se nuk kishte qenë në dijeni të situatës dhe se lojtari do të kthehet te skuadra portugeze Estoril.
Top Channel