“Ëndërroja ta mbyllja karrierën te Reali i Madridit”, rrëfehet Luka Modric: Kam qenë gjithmonë fans i futbollit italian, Milani i preferuari im

04/12/2025 14:28

Luka Modrić ka hapur zemrën në një intervistë të gjatë me Slaven Bilić, ku ka rrëfyer etapë pas etape gjithë rrugëtimin e tij – nga fëmijëria e vështirë deri te kalimi te Milani.

Ylli kroat zbulon se gjithçka ka nisur me një refuzim. Hajduk Split e kishte hequr nga planet sepse “ishte shumë i shkurtër” dhe i kërkonin të bënte ushtrime për t’u zgjatur. “Nuk humba kurrë besimin. Shkova te Dinamo Zagreb dhe aty nisi gjithçka”, thotë Modrić.

Pasi miqtë e tij më të ngushtë Corluka dhe Eduardo u larguan nga Dinamo, Modrić mendoi se edhe ai duhej të bënte hapin e radhës. Chelsea e kërkoi, por klubi nuk e la të largohej në janar. “Më mbajtën deri në verë. Atëherë erdhi Tottenhami.”

Pas katër vitesh në Londër, Modrić kërkoi një hap tjetër në karrierë. Sërish Chelsea trokiti, por presidenti i Tottenham, Daniel Levy, ishte kategorik: “Më tha se klubi i vetëm ku do të më linte të shkoja ishte Real Madrid.”

Kur mbërriti thirrja nga Madridi, Modrić nuk e besoi. Megjithatë, transferimi nuk ishte i lehtë. “Kisha fjalën e presidentit. Isha i vendosur, edhe sikur të mos më aktivizonin më.”

Modrić thotë se kurrë s’do ta kishte imagjinuar suksesin e arritur me madrilenët. “Nëse do të më thoshin të shkruaja gjithçka që doja të arrija, do të kisha frikë të shkruaja aq shumë. Të qëndrosh 13 vjet në një klub ku mediokriteti nuk tolerohet, është arritja ime më e madhe.”

Ai pranon edhe një peng: “Doja të mbyllja karrierën te Real Madrid. Ishte dëshira ime e sinqertë. Por jam mirënjohës për gjithçka që përjetova.”

Modrić e quan Milanin klubin më të përshtatshëm pas Realit.

“Pas Real Madridit, çdo klub është një hap pas. Por Milani, për historinë dhe reputacionin e tij, është shumë afër. Është vendi ideal për mua. Kam qenë gjithmonë tifoz i futbollit italian, dhe Milani ishte klubi im i preferuar – menjëherë pas Real Madridit.”

Me këtë rrëfim, Modrić mbyll një kapitull legjendar dhe nis një aventurë të re në Itali, duke mbetur një nga figurat më të respektuara në futbollin modern.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta