“Det i thellë Blu”/ Drama e fortë familjare në Teatrin Kombëtar deri më 14 dhjetor

04/12/2025 12:26

Një tentativë vetëvrasjeje, një dramë e fortë familjare, që rrëfehet përmes një ritmi dinamik që të mban pezull.

Ester, gruaja e një gjyqtari të njohur në Britani braktis gjithçka për dashurinë e një piloti, por më pas e gjen veten në një betejës për jetën dhe gjetjen e vetvetes. Vepra e autorit britanik Terence Rattigan vjen premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar nën vizionin regjisorial të Rovena Lules.

Rovena Lule Kuka, regjisore u shpreh “Vepra ka shumë mesazhe, por kryesorja që unë kam dashur të them është se jeta është më e rëndësishmja, të duam veten dhe më pas të tjerët”.

Kjo dramë rrëqethëse për dashurinë e pakthyeshme dhe humbjen personale ndërthuret me humorin elegant përmes interpretimit brilant të aktorëve Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi dhe Florian Agalliu.

Britanikët kanë një humor shumë fin, shumë elegant. Bashkë me aktorët kemi menduar, që duket qenë një dramë shumë e fortë psikologjike, vepra ka nevojë për çlirim herë pas here”, tha Rovena Lule Kuka, regjisore.

Anila Bisha, aktore u shpreh për TCH: “Kjo është një ndër shfaqjet më të mira të repertorit të Teatrit Kombëtar. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e saj dhe për këtë falënderoj regjisoren që më dha këtë karakter shumë të rëndësishëm, pasi është personi që sheh dhe dëgjon gjithçka. Duket si një grua që merret me fjalë, por është një grua me zemër të madhe dhe të mirë”.

Ndërsa aktori Igli Zarka, tha “Ky është një ndër rolet më të vështira që unë kam luajtur deri më tani, për vetë faktin e dramës që shkakton roli im. Shumë i vështirë për t’u mishëruar deri në vërtetësi”.

Në netët e para të premierës, shfaqja është mirëpritur nga publiku që ka mbushur sallën dhe ka duartrokitur aktorët pas 2 orësh interpretim.

Si rrallë herë, nuk kemi parë të nxjerrin celularët, një qetësi totale dhe tregon se ia kemi arritur ta përfshijmë publikun në emocionet tona”, shtoi Anila Bisha.

Dikush ishte përfshirë aq shumë në dramë sa më tha që arriti në një pikë sa pati urrejtje për mua”, shtoi më tej aktori Zarka.

“Det i thellë blu” do të vijojë në Teatrin Kombëtar deri në datën 14 dhjetor, ndërsa fundi i muajit rikthen në skenë “Faust”.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta