Trump bllokoi pezulloi aplikimet për viza pas të shtënave ndaj Gardës Kombëtare, Shtëpia e Bardhë publikon listën e 19 shteteve që nuk lejohen në SHBA

03/12/2025 10:07

Administrata Trump ka pezulluar të gjitha aplikimet për imigracionin nga 19 vende që u konsideruan me rrezik të lartë ditë pas të shtënave vdekjeprurëse në Uashington, D.C., nga një shtetas afgan, njoftoi të martën Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Pezullimi vlen për njerëzit nga 12 vendet, qytetarët e të cilëve janë ndaluar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara që nga qershori, si dhe për qytetarët e shtatë vendeve të tjera që më parë ishin subjekt i kufizimeve të vizave, sipas një dokumenti nga zyrtarët e imigracionit të parë nga AFP.

Aplikimet për karta jeshile nga shtetasit e këtyre vendeve, si dhe aplikimet për natyralizim, janë pezulluar.

Lista përfshin disa nga vendet më të varfra dhe më të paqëndrueshme në botë.

Qershorin e kaluar, Donald Trump urdhëroi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për qytetarët e Afganistanit, Burmës, Çadit, Republikës së Kongos, Guinesë Ekuatoriale, Eritresë, Haitit, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.

Shtatë vendet e tjera janë Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Christy Noem tha të hënën në mbrëmje nëpërmjet X se i kishte rekomanduar Presidentit Donald Trump “një ndalim të plotë të hyrjes për shtetasit e çdo vendi të mallkuar që e ka përmbytur kombin tonë me vrasës, shushunja dhe të varur nga ndihma sociale”.

“Ne nuk i duam ata, asnjërin prej tyre”, tha ajo.

Dje, presidenti amerikan bëri komente ndaj Somalisë, duke thënë se emigrantët nga ai vend afrikan nuk duhet të jenë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara. “Unë nuk i dua ata në vendin tonë”, tha ai.

Pas sulmit të 26 nëntorit, që i atribuohet një shtetasi afgan, që vrau një ushtare të Gardës Kombëtare dhe plagosi rëndë një ushtar tjetër, administrata Trump ka ngrirë të gjitha vendimet për dhënien e azilit në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta