Zbatimi i taksës së pronës do të fillojë në vitin 2030. Ministri i Financave Petrit Malaj nga eventi i mbylljes së projektit “ProTax Albania” bëri të ditur shtyrjen e këtij zbatimi me 2 vite pasi sipas tij procesi tranzitor i vlerësimit të pasurive të paluajtshme do të kërkojë një periudhë nga viti 2026-2028.
Hartimi i projektligjit është gati sipas Malajt dhe së shpejti do t’i dërgohet këshillit të ministrave.
“Sot, ne ndodhemi në një moment kyç. Kemi një sistem të ndërtuar dhe gati për t’u dorëzuar, një projektligj të hartuar sipas standardeve europiane, një bashkëpunim të konsoliduar me partnerët suedezë, dhe një vullnet të qartë institucional për të çuar përpara drejt fazës së fundit këtë reforme. Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. Ky është parakushti thelbësor për çdo hap të mëtejshëm. Në vitin 2027 do të kryhet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave.
Ndërsa 2026-2027 do të shërbejë si periudhë tranzitore deri në aplikimin e ligjit të ri. Në vitin 2028 parashikohet futja e vlerësimeve të bazuara në treg për ndërtesat, si dhe përmirësimi i normave dhe lehtësimeve Dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i takës mbi tokën/truall, bazuar në një sistem të plotë të integruar dhe sipas standardeve europiane. Ky do të jetë edhe finalizimi i reformës”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
Aktualisht tatimi vjetor për ndërtesa banimi është 0.05% e vlerës kadastrale ndërsa për ndërtesa komerciale 0.02% e vlerës.
“Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë një taksim të drejtë dhe efikas të pronës në Shqipëri, si dhe të forcojmë rolin e bashkive për mbledhjen e një prej taksave më të rëndësishme, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Është e vërtetë që u deshën gati 7 vjet, pas një procesi shumë kompleks, që u vështirësua jo pak, për shkak të Tërmetit të vitit 2019, por edhe Pandemisë, për të arritur sot në këtë stad ku jemi. Objektivi ynë është që ta çojmë peshën e kësaj takse në rreth 1% të PBB-së, në linjë edhe me standardet që kanë vendet e OECD-së”, u shpreh Malaj.
Sipas ministritë duhet një bashkëpunim akoma më i madh ndëristitucional me bashkitë ndërsa për vitin 2026 parashikimi i të ardhurave nga taksa e pronës është në masën 10 miliardë ose rreth 100 milionë euro, apo 14 milionë euro më shumë se sa në vitin 2025.
Top Channel