Koncesioni i sterilizimit, kontrata 76 milionë euro e PPP-së më të shtrenjtë në shëndetësi, ekspozoi shkeljet e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Një hetim i nisur në kohën kur SPAK drejtohej nga Arben Kraja, zbuloi një procedurë të negociuar në favor të kompanive dhe në dëm të interesit publik.

Prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi mbyllën rrethin e akuzave, por ishte gjyqtari Erion Bani që e ngriti stekën në nivelin e ministrit.

Madje, një prej atyre që konsiderohej mik i afërt i kryeministrit Rama. Ai kërkoi hetimin ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Ky i fundit u vu nën akuzë për favorizimin e kompanisë fituese të koncesionit. Disa udhëtime të përbashkëta dhe indicie të tjera, krijuan dyshimet te SPAK se Beqaj, paracaktoi kontratën për miqtë e tij.

“Një hetim ku ai u hetua në gjendje të lirë, u çua në gjykim me akuzën e shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim, një akuzë e cila u ndryshua gjatë seancës paraprake në vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup të strukturuar kriminal, bashkë me ish vartësinë e tij dhe biznesmenin e tij i cili fitoi koncesionin e sterilizimit“, u shpreh gazetarja, Bleona Metushi.

“SPAK për të gjitha këto dosje që ne themi me gjykatën. Aty do dali bilanci i punës së vërtetë objektive”, u shpreh avokati, Eugen Beci.

Vendimi i GJKKO-s e ktheu çështjen e ‘Sterilizimit’ në precedent të rrezikshëm për politikën: favorizimi procedural u shndërrua në dyshim për korrupsion.

Dhe pikërisht këtu u hap një tjetër krisje, jo më mes politikës dhe drejtësisë, por brenda vetë SPAK-ut. Një krisje për të cilën është folur në tavolina nën zë, por asnjëherë nuk ka plasur në publik.

Altin Dumani dhe prokurori Kondili u përplasën për vijën hetimore ndaj Beqajt, një palë kërkonte thellim, tjetra ngushtim.

Përplasja tregoi se presioni politik nuk vinte vetëm nga jashtë, ai po depërtonte deri te tavolina e vendimmarrjes.

“Në fakt kjo dosje tregoi, një nga përplasjet më të forta në prokurorinë e posaçme. Në takimet që kreu i Prokurorisë së Posaçme bën me gazetarët, në fillim të marrjes së mandatit të tij, i ka bërë udhëzime jo detyruese prokurorit të çështjes, për mënyrën sesi duhet të hetoj kjo çështje, pra për akuzat dhe sesi duhet të drejtoheshin në këto hetime”, u shpreh gazetarja, Bleona Metushi.

“Drejtuesi i saj duhet të ketë një pozicion më të tërhequr nga hetimi, duhet të jetë më shumë në formën e një kontrolluesi, monitoruesi të punës, sesa një person që merr drejtpërdrejt hetime, të çështjeve të caktuara”, u shpreh Gentian Tërnava, ish-prokuror.

Goditja ndaj Beqajt sapo kishte nisur. Pak muaj më vonë, ai u arrestua për abuzim me fondet e BE-së.
Sipas dosjes, SASPAC ishte kthyer në një minierë faturash të rreme, shpenzimesh fiktive dhe klientelizmi të sofistikuar, një tjetër skemë që tregonte se korrupsioni nuk ndodhte në majë, por në të gjitha strukturat ku paratë e huaja hynin pa kontroll real.

Ajo dosje, zbuloi një metodë të re operimi të SPAK. Teksa subjekti hetohej për një tjetër dosje, përgjimet çuan hetuesit tek një tjetër skemë korrupsioni që ishte në zhvillim e sipër, përvetësimi i fondeve të huaja.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta