Festivali i Letërsisë Europiane/ Organizohet nga BE, pjesëmarrës 12 autorë nga 13 vende anëtare të Unionit

03/12/2025 12:34

Festivali i Letërsisë Evropiane, i organizuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, rikthehet në edicionin e dytë, me pjesëmarrjen e 12 autorëve që përfaqësojnë 13 shtete anëtare të BE-së, të cilët do të lidhen me lexuesit shqiptarë dhe do të vizitojnë shkolla të mesme dhe universitete.

“Do të kemi një sërë bisedash për autorë të rinj që vijnë nga Bashkimi Europian në ndërveprim me shkrimtarë vendas. Këtë vit kemi përfshirë përkthyesit e autorëve, sepse mendoj se përkthimi është gjithmonë një proces jashtëzakonisht interesant për t’u analizuar. Do të kemi biseda në disa vende sepse dëshirojmë të arrijmë audienca të ndryshme”, u shpreh Silvio Gonzato.

Në ditën e parë të festivalit, Maja Haderlap, bisedoi me publikun mbi romanin “Engjëlli i harresës”, që bazohet në përvojat e familjes së saj dhe të pakicës sllovene në Austrinë jugore , shumë prej të cilëve luftuan si partizanë kundër nazistëve gjatë luftës së Dytë Botërore.

“E dëgjoj me vëmendje gjyshen kur tregon se për sa e sa njerëz gatuante në shtëpi asokohe kur kishin pasur çirakë, shërbyes dhe shumë fëmijë. Ajo tregon se më pas i është dashur të vidhte ndonjë gjë për të ngrënë për vete dhe për të tjerët. Kur lante kazanët rrëmonte për çdo lëkurë patateje apo çdo gjë që dukej e ngrënshme. E di se ishte fati i madh që rastisa në kuzhinë atje në kamp, thotë ajo”.

“Kam lindur në një periudhë kur nuk kishte kaluar ende shumë kohë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fëmijërinë time në Kert unë kam përjetuar konfliktet e vjetra nga njëra anë, shihja familjen që përballej me një histori të tmerrshme të së shkuarës. Më vonë kuptova që pjesa tjetër e Austrisë nuk e njihte këtë histori. Doja ta paraqisja përmes këtij libri, ndaj dhe vendosa ta shkruaj në gjermanisht për të gjithë publikun”, u shpreh shkrimtarja Maja Haderlap

Por, si i flet “Engjëlli i harresës” lexuesit shqiptar?

Përkthyesja Blerta Lazebeu tha: “Mendoj se romani Engjëlli I Harresës është një dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive europiane. Aty rrëfehet e një familjeje, më pas e një komuniteti pakice, por në fund edhe e një kombi, e një shteti. Aty gjithkush nga ne mund të identifikojë elementë të vendit dhe kulturës vetjake”.

Festivali Evropian i Letërsisë në Tiranë, që do të zhvillohet në disa vendndodhje, që nga Shtëpia e Evropës deri te Teatri i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor në Tiranë, Vila 31, Biblioteka Kombëtare dhe Teatri i Kukullave, i fton pjesëmarrësit të eksplorojnë ndikimin transformues të leximit dhe rrëfimit të historive në formësimin e një Evrope më të ndërlidhur dhe më empatike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta