“Vatikani po punon në ‘prapaskenë’ për paqe, aty ku ka konflikte”, Papa Leoni XIV: Prania e Evropës në vendimet e luftës është e rëndësishme

02/12/2025 21:23

Papa Leoni XIV ka theksuar se një paqe e qëndrueshme në Ukrainë është e mundur dhe se Italia mund të ketë një rol të rëndësishëm si ndërmjetëse mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për gjetjen e një plani paqeje për Moskën e Kievin.

Ai tha se Selia e Shenjtë ka nisur kontakte me disa liderë ndërkombëtarë dhe do të vazhdojë të bëjë thirrje për paqe, duke përdorur marrëdhëniet diplomatike që ka me vendet e rajonit. Papa theksoi se lufta ka shumë dimensione dhe se Europa duhet të jetë pjesë e çdo plani paqeje.

Në intervistëm e dhënë për ‘La Stampa’, Papa përmendi edhe vizitën e tij në Liban, ku u takua me përfaqësues të grupeve fetare e politike, përfshirë edhe shiitët. Ai tha se Vatikani punon shpesh “prapa skenave” për të nxitur palët të lënë armët dhe të ulen në tryezë për dialog.

Intervista për La Stampa

Shenjtëri, a do t’i përdorni kontaktet tuaja me Trump-in dhe Netanyahu-n që Izraeli të japë llogari për atë që bën? Mendoni se është e mundur një paqe e qëndrueshme në rajon?

“Po, mendoj se mund të arrihet një paqe e qëndrueshme. Kam filluar tashmë, në mënyrë shumë të kufizuar, shkëmbimet me disa nga liderët e vendeve që ju përmendni, dhe kam ndërmend të vazhdoj ta bëj këtë, personalisht ose përmes Selisë së Shenjtë, sepse ne kemi marrëdhënie diplomatike me shumicën e vendeve të rajonit, dhe do të ishte shpresa jonë të vazhdojmë të bëjmë thirrje për paqe”, tha ai.

Këto janë orë të tensionit të madh mes NATO-s dhe Rusisë. Flitet për luftë hibride, sulme kibernetike. A shihni rrezikun e një përshkallëzimi, të një konflikti të zhvilluar me mjete të reja, siç kanë denoncuar drejtuesit e NATO-s? Dhe në këtë klimë, a mund të ketë një marrëveshje për një paqe të drejtë pa Evropën, e cila është sistematikisht anashkaluar këto muaj nga administrata Trump?

“Kjo është një temë padyshim e rëndësishme për paqen në botë, por në të cilën Selia e Shenjtë nuk ka pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, sepse nuk jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk kemi qenë të pranishëm në diskutimet që kanë ndodhur deri tani, edhe pse shumë herë kemi kërkuar një armëpushim.

Lufta ka shumë aspekte, rritjen e armëve dhe gjithë prodhimin që ekziston, armët kibernetike, energjinë, tani po vjen dimri… Është e qartë që nga njëra anë presidenti i Shteteve të Bashkuara mendon se mund të promovojë një plan paqeje që të paktën në fillim ishte pa Evropën. Por prania e Evropës është e rëndësishme dhe ai propozim fillestar u modifikua, edhe për shkak të asaj që Evropa po thoshte.

Në mënyrë specifike, mendoj se roli i Italisë mund të jetë shumë i rëndësishëm, pikërisht për aftësinë që ka Italia, kulturalisht dhe historikisht, për të qenë ndërmjetës në një konflikt që ekziston mes palëve të ndryshme, edhe mes Rusisë dhe Ukrainës. Në këtë kuptim unë mund të sugjeroj që Selia e Shenjtë të inkurajojë këtë lloj ndërmjetësimi dhe të kërkohet, ose të kërkojmë së bashku, një zgjidhje që mund të ofrojë një paqe të drejtë.”

Në Liban keni bërë thirrje për dialog. A do të bëjë Vatikani diçka konkrete në këtë drejtim? Për më tepër, keni takuar edhe përfaqësues shiitë, e keni marrë letrën e Hezbollahut?

“Udhëtimi lindi duke menduar për çështje ekumenike, përvjetorin e Nicaea-s dhe takimin me patriarkët katolikë dhe ortodoksë, duke kërkuar unitet në Kishë. Por gjatë këtij udhëtimi pati edhe takime personale me përfaqësues të grupeve të ndryshme që në fakt përfaqësojnë autoritete politike, persona dhe grupe që kanë lidhje me konfliktet e brendshme ose edhe ndërkombëtare.

Puna jonë kryesisht nuk është diçka publike, nuk e shpallim, ndodh prapa skenave. Është diçka që tashmë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, duke u përpjekur të bindim palët të lënë armët, dhunën, dhe të dialogojnë së bashku rreth një tryeze duke kërkuar përgjigje, zgjidhje”.

A keni parë mesazhin e Hezbollahut?

“Po, e kam parë. Është e qartë që nga ana e Kishës ka propozimin që të lënë armët, që të kërkojmë dialogun. Por më shumë se kaq preferoj të mos komentoj.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta