Spiunonte për Rusinë nga Ukraina, arrestohet në Kiev ish-ushtaraku britanik

02/12/2025 12:22

Një 40-vjeçar britanik, ish-anëtar i forcave të armatosura të vendit të tij, është arrestuar në Ukrainë pasi dyshohet se kryente spiunazh për Rusinë, sipas shërbimit ukrainas të sigurisë (SBU).

Ross David Cutmore u arrestua tetorin e kaluar në shtëpinë e tij në Kiev. Autoritetet ukrainase zbuluan sot emrin e tij dhe më shumë informacion rreth tij.

Cutmore kishte mbërritur në Ukrainë disa muaj më parë për të trajnuar luftëtarë, por autoritetet ukrainase zbuluan aktivitetet e tij të vërteta me ndihmën e inteligjencës britanike.

SBU njoftoi se britaniku, i cili u paraqit si instruktor ushtarak, në fakt ishte rekrutuar nga FSB-ja ruse, kundrejt pagesës monetare. Sipas autoriteteve ukrainase, atij i ishin siguruar armë dhe municione “për të kryer vrasje ndaj objektivave të caktuara në territorin e Ukrainës”.

Një burim i SBU-së i tha Mirror se Cutmore “është në paraburgim dhe hetimi është duke vazhduar”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Mediat ukrainase raportuan se ai ishte aktiv në vend gjatë periudhës 2024-2025 dhe akuzohet për kryerjen e “veprimeve të zbulimit dhe sabotimit” në emër të Moskës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta