Ishujt Cook/ Ja kush i ndihmon Rusinë dhe Iranin të shmangin sanksionet e naftës, ja me cilin flamur operon e ashtuquajtura “flota fantazmë” ruse
Në mes të tensioneve midis Venezuelës dhe SHBA, presidentët Trump dhe Maduro kanë biseduar në telefon. Përmbajtja: e panjohur.
Megjithatë, një senator amerikan sugjeron që Maduro të largohet.
Presidenti amerikan Donald Trump ka biseduar në telefon me presidentin venezuelian Nicolás Maduro. Republikani e konfirmoi këtë për gazetarët në bord të avionit presidencial Air Force One.
Trumpi nuk zbuloi detaje rreth bisedës së tij telefonike me Maduron. Kur gazetarët e pyetën për raportet se ishte diskutuar një takim i mundshëm mes kryetarëve të shtetit ose kushtet për një amnisti për Maduron, ai thjesht u përgjigj: “Nuk do të thoja se shkoi mirë apo keq. Ishte një bisedë telefonike.”
Debat mbi sulmin ndaj bandave të dyshuara të drogës
Trumpi gjithashtu komentoi raportet në mediat amerikane për një operacion ushtarak amerikan kundër anijeve të dyshuarapër trafik droge. Sipas këtyre raporteve, në sulmin e parë të tillë që u bë publik, më 2 shtator, ushtarët amerikanë vranë të mbijetuarit e anijes në një sulm të dytë. “Nuk doja që të bëhej në atë mënyrë,” tha Trumpi. Ai bëri të ditur se dëshiron të verifikojë akuzat. Karakasi foli për një “agresion” nga Uashingtoni.
Washington Post dhe CNN raportuan se Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth, kishte urdhëruar para operacionit që të gjithë në bord të anijes të vriteshin.
Sipas Washington Post-it, pas sulmit me raketa, dy të mbijetuar u ngjitën në anijen që po digjej. Ushtria qëlloi përsëri ndaj tyre. Hegseth i hodhi poshtë raportet si “lajme të rreme” dhe siguroi se operacionet në Karaibe ishin “legjitime, si sipas ligjit amerikan ashtu edhe sipas ligjit ndërkombëtar.”
SHBA i ofron Maduros mundësi largimi
Të shtunën, tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit, të cilat kishin vazhduar për javë me radhë, arritën një kulm të përkohshëm, kur Trumpi e shpalli hapësirën ajrore mbi vendin e Amerikës së Jugut “të mbyllur”.
Senatori republikan amerikan Markwayne Mullin bëri të ditur se Uashingtoni i kishte dhënë Maduros mundësinë të largohej nga vendi i tij. “Ne i thamë se mund të shkonte në Rusi ose në çdo vend tjetër,” i tha senatori i Oklahomës transmetuesit amerikan CNN.
Kur u pyet nëse Trumpi planifikonte të sulmonte Venezuelën, Mullini u përgjigj: “Jo, ai e ka bërë shumë të qartë se ne nuk do të dërgojmë trupa në Venezuelë.” Përkundrazi, Uashingtoni po përpiqet të mbrojë vijat e veta bregdetare me veprimet e tij, theksoi ai.
Venezuela i kërkon ndihmë OPEC-ut
Ndërkohë, qeveria e Karakasit ka kërkuar ndihmë nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC). Uashingtoni po përpiqet të “përvetësojë rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës, më të mëdhatë në botë, me forcë ushtarake”. Kjo kërcënon sipas tij stabilitetin e prodhimit të naftës në Venezuelë dhe tregun ndërkombëtar të naftës.
OPEC-u përbëhet nga dymbëdhjetë vende, përfshirë Venezuelën, Arabinë Saudite, Irakun dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Maduro gjithashtu ia drejtoi letrën kartelit të zgjeruar OPEC+, i cili përfshin vende të tjera të mëdha prodhuese të naftës, si Rusia.
SHBA dhe BE nuk e njohin Maduron
Prej javësh, Presidenti i SHBA-së, Trump, ka ashpërsuar tonin dhe masat e kundër vendit të Amerikës së Jugut. SHBA ka grumbulluar trupa shtesë në Karaibe dhe ka tërhequr anijen më të madhe luftarake ajrore në botë, USS Gerald R. Ford, nga Mesdheu dhe e ka zhvendosur në rajon, të shoqëruar nga anije të tjera luftarake dhe një bombardues me rreze të gjatë veprimi.
Sipas Uashingtonit, misioni ka për qëllim luftimin e trafikantëve të drogës. Më shumë se 80 persona janë vrarë tashmë në sulme ndaj anijeve të dyshuara të trafikantëve të drogës.
Sipas Maduros, Shtetet e Bashkuara kanë grumbulluar 15000 ushtarë dhe 14 anije luftarake në Karaibe, shifra që përkojnë me raportet në mediat amerikane. Për më tepër, Trumpi raportohet se ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë. /rel
Top Channel