Mbrëmja e yjeve të futbollit italian / Një shqiptar pjesë e formacionit të vitit në Serie A
Merkatoja e Milanit ndizet me një emër të bujshëm: Sergio Ramos. Mbrojtësi legjendar spanjoll, pas eksperiencës në Meksikë me Monterrey, dëshiron të rikthehet në Europë për të tentuar një vend në Botërorin 2026 — dhe sipas raportimeve, emri i tij u ofrua edhe te kuqezinjtë nëpërmjet ndërmjetësve.
Ramos, i cili më 31 dhjetor mbetet lojtar i lirë, kërkon një aventurë të fundit të madhe, ndoshta në Serie A. Megjithatë, nga drejtuesit e Milanit nuk ka entuziazëm. Qasja është e njëjtë me atë ndaj zërave për rikthimin e Thiago Silvas: respekt maksimal për kampionët, por projekt i orientuar drejt së ardhmes, jo nostalgjisë.
Sipas Tuttosport, Milani e konsideron rastin Luka Modric si një përjashtim të suksesshëm që nuk mund të shërbejë si model të përgjithshëm. Kroati është bërë qendror në projekt falë gjendjes së tij fizike dhe përshtatjes taktike, elemente që drejtuesit nuk janë të bindur se mund të garantohen nga futbollistë të tjerë në moshë të avancuar.
Pavarësisht refuzimit të pistave ‘amarcord’, nevoja teknike është e qartë: Milan-i ka nevojë për një qendërmbrojtës në janar për të zgjeruar alternativat. Odogu shpesh aktivizohet me Milan Futuro, dhe treshja Tomori–Gabbia–Pavlovic, së bashku me De Winter, mund të ketë nevojë për një përforcim numerik.
Megjithatë, strategjia e klubit do të udhëhiqet nga balanca financiare. Investimi i madh mund të shkojë në sulm — ndoshta pas një shitjeje të rëndësishme, me Gimenez që konsiderohet kandidati kryesor për largim — ndërsa në mbrojtje Milani do të kërkojë zgjidhje me huazim të pastër ose me të drejtë blerjeje.
Në këtë kontekst, Sergio Ramos mbetet vetëm një ide e bukur… por jo një opsion real për të ardhmen kuqezi.
Top Channel