I dërguari i SHBA-së pritet të takojë Putinin, Zelensky: Çështja territoriale mbetet më e vështira

01/12/2025 22:33

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se çështja territoriale është pika më e vështirë në bisedimet e paqes me Rusinë, ndërsa i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, po udhëton drejt Moskës për një takim me Presidentin rus Vladimir Putin pas raundit të negociatave me delegacionin ukrainas.

Zelensky theksoi se prioritetet e Kievit mbeten ruajtja e sovranitetit dhe sigurimi i garancive të forta të sigurisë. Ai përsëriti se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e Donbasit, pavarësisht kërkesave ruse.

Deklaratat u bën pas takimit të tij me Presidentin francez Emmanuel Macron në Paris dhe një bisede të përbashkët me liderët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Polonisë dhe Italisë.

Në SHBA, negociatorët ukrainas dhe amerikanë përfunduan dy ditë bisedimesh në Florida, duke rishikuar një draft-plan paqeje të kritikuar më parë si tepër i favorshëm për Moskën.

Shtëpia e Bardhë u shpreh optimiste për progresin, ndërsa Zelensky mbajti një ton më të kujdesshëm, duke e vlerësuar procesin si “konstruktiv, por ende me çështje të vështira për t’u zgjidhur”.

I dërguari amerikan Witkoff, i shoqëruar nga Jared Kushner, ka zhvilluar takime me Zelenskyn, Macronin, kryenegociatorin ukrainas Rustem Umerov dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, dhe pritet t’ia paraqesë Putinit rezultatet e diskutimeve.

Putin ka pranuar se ka parë një version paraprak të planit të paqes të SHBA-së dhe se ai mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje të mundshme.

Megjithatë, drafti i nëntorit shkaktoi shqetësim në Kiev dhe kryeqytetet evropiane, pasi përfshinte kushte të favorshme për Rusinë, përfshirë përdorimin e aseteve të ngrira ruse dhe rregullime të aksesit të Ukrainës në tregun e BE-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta