Lëvizja Vetëvendosje përballet që përpara zgjedhjeve të 28 dhjetorit me pretendimet e tentativave për manipulimin e votave të diasporës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku reagoi pas akuzave të bëra nga zyrtarë të Vetëvendosjes rreth vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të votohet vetëm në përfaqësi diplomatike. Abdixhiku shikon në këto lëvizje të Vetëvendosjes përpjekje për mashtrim.
“Mashtrimi është bërë sot mendësi e tyre. E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më tani, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë më thjeshtë”, u shpreh kryetari i LDK-sw Lumir Abdixhiku.
Kreu i LDK-së përmendi dhe disa raste të mëparshme kur sipas tij Vetëvendosja ka tentuar të ndryshojë mënyrën e votimit.
“Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email… Pastaj tentuan të votojnë në depo mallrash, salla dasmash e restorante; pra jashtë ambasadave e konsullatave siç e thotë ligji. Votime në vende ku nuk ka shtet, nuk ka kontroll, nuk ka monitorim. PZAP, natyrisht, siç e thotë ligji, nuk e lejoi këtë gjë”, shtoi ai.
Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku njoftoi më herët se PZAP-i ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që votimi jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të bëhet vetëm në përfaqësitë diplomatike apo hapësirat e tyre.
Top Channel