“Tërhiq kallëzimin ose do t’ju shkatërrojmë/ Akuzohet se abuzoi me të renë, oficeri Jetmir Uta ende pa masë sigurie. Dëshmia kontradiktore e 19-vjeçares

30/11/2025 11:28

‘Unë nuk flas pa praninë e avokatit tim”, ky ka qenë reagimi i oficerit të policisë Jetmir Uta, menjëherë mbasi u vetdorëzua pak ditë mbas kërkimeve të bazuara në denoncimin e një vajze e cila thotë se u përdhunua.

Prokurorja pritet të kërkojë arrest me burg ndaj 24-vjeçarit, me detyrë agjent në seksionin për mbështetjen operacionale të hetimit në Policinë e Dibrës, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Hetimi kundër oficerit të policisë që dyshohet për marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura dhe shpërdorim detyre u hap nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore menjëherë mbasi një 19-vjeçare e shoqëruar nga e ëma denoncoi se ishte abuzuar seksualisht mbasi ishe shantazhuar dhe kërcënuar.

Fillimisht siç dyshon prokurorja e çështjes, oficeri Uta i ka shkruar në ‘Whats app’ denoncueses duke i thënë  kam video dhe foto të tuat, nëse nuk më takon do ti publikoj”.

Mbas këtyre mesazheve, e reja ka pranuar ta takojë duke u larguar me makinën e tij. Në kallëzimin paraprak mësohet se ka patur kontradikta gjatë dëshmisë, sepse fillimisht 19 vjeçarja ka pohuar se është abuzuar në automjet e më pas në një hotel, ndaj kallëzimi mësohet se është riregjistruar në prani të psikologëve.

Gjatë kontrolleve policia e ka gjetur automjetin e kolegut të fshehur në banesën e kunatit të Utës, i cili gjithashtu është vendosur nën hetim për përkrahje të autorit të krimit. Ndërkohë që edhe nëna e 24-vjeçarit iu bashkua dosjes hetimore duke qenë se mbas ngjarjes, dyshohet se gruaja vizitoi familjen e vajzës së abuzuar dhe i kërcënoi ata duke ju kërkuar të tërhiqnin kallëzimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB