Takimi që trazoi PD, Alimehmeti dhe Kopliku flasin për mbledhjen e demokratëve më të votuar: Ideja e lëvizjes dhe fraksionimit nuk u përmend

28/11/2025 19:48

Bashkimi i demokratëve që grumbulluan më shumë vota në zgjedhjet e 11 majit, por që mbeten jashtë parlamentit, ka trazuar ujërat në selinë blu.

Në “Top Story”, Ilir Alimehmeti zbuloi prapaskenat e takimit dhe diskutoi nëse ky bashkim synon të shndërrohet në një lëvizje të re politike brenda PD-së në të ardhmen e afërt.

Ilir Alimehmeti tha: “Në fillim gjithçka nis me një shtrëngim duarsh dhe për të kuptuar se ku ndodhemi. Në mungesë të një përfaqësimi të demokratëve, ku përballë një qeverie të kalbur opozita nuk arrin të realizojë rrotacionin politik, parimi ishte: si mund të forcohet PD-ja?”.

Një tjetër protagonist i takimit, Tedi Kopliku, zgjodhi të mos i japë ngarkesë politike këtij mbledhjeje: “Jam ftuar nga zoti Ilir Alimehmeti për një kafe, së bashku me kandidatët e tjerë. Pyetja nëse ishte një lëvizje, nuk e kam dëgjuar nga pjesëmarrësit – ideja e lëvizjes dhe fraksionimit nuk u përmend. Unë isha i ftuar nga një mik dhe do pranoj çdo ftese nga një mik dhe koleg. Por betejën që kemi secili prej nesh, e kam zgjedhur ta bëj në mënyrë institucionale. Besoj që në tre vitet e fundit, departamenti Brain Gain ka ndihmuar PD-në të përmirësohet dhe do ta ndihmojë edhe në të ardhmen.”

Ndryshe nga Kopliku, miku i tij Ilir Alimehmeti e konsideron pjesë të atyre zërave që kërkojnë reformim dhe hapje të partisë demokratike. Mes tyre përfshihet edhe anëtari i kryesisë, Ervin Salianji: “Unë personalisht mendoj se PD-së i duhet një riorganizim nga koka te këmbët. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i qasemi sistemit të zgjedhjeve vendore në mënyrë të suksesshme.”

Emeruesi i përbashkët i të gjithë demokratëve që u takuan një ditë më parë në një ambient privat jashtë selisë blu është pesha e votave që ata kanë në terren.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta