Të shtëna me armë në një banesë në Elbasan, policia nis verifikimet
Aktorja e mirënjohur e kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku e ftuar në programin e transmetuar në Top News “On the Road” rrëfeu gjithçka nga jeta e saj, nga fëmijëria tek karriera e saj.
Aktorja tha se kishte patur një fëmijëri shumë të lumtur në kryeqytet që e shpenzonte midis shtëpive të gjyshërve të saj. Ajo rrëfeu fillimet e saj që erdhën nga korridoret e Kinostudios fillimisht si aktore gjimnaziste e më pas si regjisore montazhi e më vonë pas hyrjen e saj në teatër ku karriera e saj mori një rrugë tjetër.
Bulku rrëfeu gjithashtu për rolin e saj në filmin “Duaje emrin tënd” si një film që deri diku e “frikësoi” për shkak të mënyrës se si u perceptua roli i saj nga shoqëria shqiptare.
Pjesë nga intervista me Rajmonda Bulkun
Si ka qenë fëmijëria jote?
Kam patur një fëmijëri shumë të lumtur sepse kam lindur në Tiranë, me dy familjet e gjyshërve njëri-tjetrit, një te Myslum Shyri dhe gjyshen nga mami e kisha te shkalla e parë e shallvareve dhe e gjithë dita ime ishte që luaja midis Shallvareve dhe Myslym Shyrit. Një fëmijëri plot vrapime, në kopshtet dhe oborret e Tiranës plot me pemë, me lodra të bukura që I lenim jashtë nëpër oborre. Prindërit e mi ishin një çift shumë i bukur në lidhjen e tyre, në dashurinë e tyre dhe ishin dhe shumë të kujdesshëm.
Çfarë simbolizon Kinostudioja, ndërtesa ku për ty filloi gjithçka?
Isha 16 vjeç hyra në këtë oborr, bëra foton e parë, të nesërmen erdha dhe bëra kinoprozë dhe fillon pa e kuptuar rrugëtimi im drejt kësaj jete si aktore profesioniste, ku realizova shumë filma. Një ditë janari dhe një foto bëri gjithçka, që unë të mendoj ndryshe. Të them të drejtën si gjimnaziste në atë kohë si gjimnaziste unë nuk isha nga ato vajzat që recitonin apo bënin teatër, nuk e mendoja kurrë këtë gjë. Kam dashur të shoh, por asnjëherë që të jem brenda lojës. Dhe ajo ditë, ajo foto dhe roli i parë te “Dimri i fundit” bëri që unë të mos ndahesha më kurrë nga ky oborr. Nuk jam ndarë deri në 90-ën asnjë vit që nga 76-ta për të gjiruar. Në këtë godinë pata fatin të isha dhe punonjëse dhe ishte vërtet shumë bukur.
Në cilat vite ke punuar në Kinostudio, përveç pjesës që ke ardhur dhe ke luajtur role të pafundme?
Kam ardhur si aktore gjimnaziste, pastaj punova në montazh si regjisore montazhi dhe më pëlqeu shumë. Kështu që dhe në shkollë kur hyra akoma nuk e dija nëse vërtetë do bëhesha aktore sepse doja të kthehesha sërish tek regjia e montazhit të filmit. Por unë shkova në teatër kur mbarova dhe nga aty karriera ime mori një rrugë tjetër
A ke patur një moment ku ke menduar se karriera jote ishte në rrezik për shkak se në filmat ku ke luajtur ti kishte skena që për atë moment dhe kohë mund të quheshin të palejueshme, më thuaj pak se si funksiononte kjo sepse sot në filma nuk është më asgjë e ndaluar?
Më i zhurmshmi ka qenë “Duaje emrin tënd”. Rinisë shqiptare në atë kohë për fat të keq iu duk shumë modern, pjesës së njerëzve që vinin nga politika ju duk pak si femër shumë moderne, që unë nuk kam qenë një femër që të dukesha dhe në konstrukt sensuale, por arritën dhe e quajtën edhe kështu. Dhe u bënë disa shkurtime ecjesh nëpër korridoret e hotelit të Pogradecit, që ishin nga më normalet. Më thonin regjisorët pastaj: “Jo Jo nuk mund të lejohet”. Kam frikë se edhe ajo bukuria estetike e kohës, edhe ajo nganjëherë iu bëhej e dëmshme disa njerëzve, mund të thuash karrieristë, mendjeshkurtër apo provincialë në atë mendjen e tyre për të parë dhe gjykuar sepse kur shikoje skenat thoje: “Çfarë ka, s’ka asgjë?”. Ndërsa u sajua, sikur kishte ndodhur diçka, një traumë e madhe, një puthje që s’kishte ndodhur, në Volorek, një vend të mrekullueshëm, apo një shtrirje në barë, ca gjëra që pyesje vete ‘Çfarë kam bërë?’. Si ka mundësi që ai fil depërtoi aq agresiv nga kjo pjesa e një lloj liberalizimi të dëmshëm për shoqërinë shqiptare.
A ka ndonjë rol që e ke dashur shumë dhe nuk e ke marrë?
Nuk ka ndodhur kurrë. Mund të ketë pasur role që mund të më jenë thënë, por nuk kanë funksionuar, por nuk kanë qenë ata që unë kam dashur. Ndodhin këto gjëra.
Top Channel