“Po noi 5 mijë €, mos ta vrasim shumë”/ SMS që ‘dogjën’ Haxhiajn, informoi të hetuarin për drogë në operacion ‘top sekret’: Po të përgjojnë, ishte me dy goca…

28/11/2025 14:35

Top Channel zbardh dosjen hetimore, që fundosi grupit kriminal të trafikut të drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt shtetit fqinj.

Mes të arrestuarve është edhe oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u la sot në burg nga GJKKO.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, zbardhen mesazhet e shkëmbyera mes Igli Haxhiajt dhe Dario Myftiu, ku këtij të fundit ai i këkron 15 mijë euro për të shitur informacione nga hetimet, dhe për t’i thënë se telefonat e tij dhe të familjarëve i ka në përgjim.

Sipas dosjes, në datën 05.12.2020, në komunikimet me këtë shtetas, edhe pse nuk i jep shpjegime se cili është apo se çfarë pune bën, i bën të qartë se di informacione për të dhe se këmbim të këtyre informacioneve kërkon përfitime të monetare.

“Kete qellim kisha me te ndihmu…….Vlla kjo pune ka nje kosto dhe po deshe ok po sdeshe ti e di….. qe te te ndihmoj dhe ke per ti pa gjojnat vlla…… Jemi 3 veta nga 5 mij vlla…… Une kam burreri dhe te tregoj gjithcka por duhet ti me bashkpunu dhe mos lon me dyshu qe nga e ke marr vesh. Por do e bejme rastesisht, dmth qe ti e verteton dhe mos biesh ne sy nga e more vesh”, i shkruan ai mes të tjerash.

Nga përmbajtja e bisedave thotë SPAK, kuptohet se informacioni që ofron Igli Haxhiaj te personi tjetër është informacion që lidhet me veprimet hetimore që kanë qenë duke u kryer në atë moment ndaj Myftiu. SPAK thotë se nga këto biseda provohet qartë fakti se shtetasi Igli Haxhiaj informacionin e ofron në këmbim të përfitimeve monetare, duke i komunikuar se, “Jemi 3 veta nga 5 mij vlla”, shumë e cila duke u vlerësuar edhe në lidhje përmbajtjen e komunikimeve të tjera, vlerësohet se i korrespondon shumës 15,000 Euro.

Gjithashtu, në biseda ai i komunikon Myftiut se, “Ti, Nusja, Nona jote, Asti, i keni telefonat ne pergjim dhe bej kujdes kur flet. Nqs do info te tjera bojn lek”.

Në këtë mënyrë, sipas SPAK, Haxhiaj ka informuar personin tjetër për veprimet e përgjimit telefonik dhe është i gatshëm që t’i ofrojë edhe informacione të tjera, por në këmbim të përfitimeve monetare.

Më pas Haxhiaj komunikon me një person tjetër, ku i tregon në lidhje me bisedat që ka bërë me Myftiun.

“O zemra a ike ti? Jo vlla, me tha takohemi te henen, sjam duke u mor me te, do i them, kam nje info dhe e shes, A e do???, po se deshi vk, skam ca takohem me ate…”, i shkruan ai.

Në këtë bisedë ata komunikojnë lidhur me Dario Myftiu, duke iu referuar pikërisht për bisedën midis shtetasit Igli Haxhiaj dhe Dario Myftiu.

Haxhiaj i shpjegon se, “me tha takohemi të henen” dhe në bisedën e datës 05.12.2020 Myftiu i ka thënë atij se “takona nga e hona, se neser jam me kalamojt”, duke u konfirmuar fakti se flasin për të njëjtin person. Po kështu, në këtë bisedë Haxhiaj konfirmon tej çdo dyshimi thotë SPAK, faktin se veprimet e tij janë kryer për qëllimi përfitimi monetar, pasi shprehet se, “do i them, kam nje info dhe e shes, A e do???”.

Nga përmbajtja e bisedave të mësipërme provohet fakti se përdoruesi i kodit “….” është njohje e përbashkët e Dario Myftiu dhe Igli Haxhiaj dhe është pikërisht personi që Igli Haxhiaj i referohet në bisedat e tij me Dario Myftiu si “shoket” e përbashkët midis tyre.

“I.Haxhiaj: Ai eshte qe te jet i informuar, per ca behet fjale, a ska interes dmth, po tani thuaj kaq, si te japi leket ja themi ca ka dhe kur te ket siklete qe di i ket nga mbrapa e njoftojme, edhe sa here te jemi mbas atij ta njoftojme, o vllai te na japi noi kave, edhe sa here te jemi mbas atij ta njoftojme, se si ceshtje nuk e mbyllim dot, se e ka tjeter kush, vetem mos i thuaj kush jam une mos ta dij fare se sdihet ca flet…. Ok vllai….Po noi 5€, mos ta vrasim…thuaji kur ke sjell nje sasi te modhe te moren ne tel, dhe ke qene me dy goca. Po sja vlen me i thene me pak…. po per 500, 1 mij sja vlen fare vllai, se i shpetojme gjithe ato lek, ati nje kapje i fiken 70 mij, i arrestuam nipin, thuaja ta dij, thuaj per 5 vk…shife ca do thot”, i shkruan Haxhiaj personin që kanë njohje të përbashkët me Myftiun.

Në bisedat e mësipërme thotë SPAK, Igli Haxhiaj komunikon me përdoruesin e kodit pin “….” përsëri në lidhje me dhënien e informacioneve në këmbim të marrjes së përfitimeve monetare.

Nga bisedat e mësipërme duket qartë se kur ai komunikon shifrën “5” bëhet fjalë për shumën monetare “5,000 Euro”, pasi përshkruan se është “5€” dhe shpjegon se “per 500, 1 mij sja vlen fare vllai”. Kjo bisedë vjen në përputhje me bisedën e datës 05.12.2020 të kryer me shtetasin Dario Myftiu, ku i komunikon se, “Jemi 3 veta nga 5 mij vlla”, duke konfirmuar faktin se “5 mij” është “5,000 Euro”.

Gjatë fazës së hetimeve paraprake për këtë procedim penal shtetasi Igli Haxhiaj në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka qenë pjesë e grupit të hetimit që ka kryer përgjimin dhe vëzhgimin e fshehtë të subjekteve të këtij procedimi penal, duke kryer veprime vëzhgimi ndaj shtetasit Dario Myftiu dhe automjeteve në përdorim të tij.

Në datën 17.05.2019 shtetasi Igli Haxhiaj ka qenë pjesëtar i grupit të vëzhgimit ku është konstatuar automjeti i cili ka rezultuar më pas se është përdorur nga shtetasi Dario Myftiu. Në këtë datë është konstatuar se shtetasi Dario Myftiu është takuar me shtetasin Gernard Beu (Ago), i cili është i pandehur në procedimin e ndarë.

Nga ky moment dhe në vazhdim shtetasi Igli Haxhiaj ka qenë në dijeni të faktit që shtetasi Dario Myftiu ishte pjesë e hetimeve dhe ka kryer në vazhdimësi veprime të tjera procedurale ndaj këtij personi dhe në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2019.

“Në kuadër të veprimeve hetimore që janë kryer lidhur me këtë procedim penal, duke përfshirë edhe periudhën e muajit dhjetor të vitit 2020, është vendosur lejimi i përgjimit të bisedave telefonike për shtetasin Dario Myftiu, shtetasin Asti Llupi, si dhe persona të tjerë, me të cilët ka patur të dhëna se shtetasi Dario Myftiu mundet të bashkëpunonte në kryerjen e veprës penale”, thuhet në dosje.

Gjatë hetimeve paraprake, në datën 11.02.2020, shërbimet e policisë gjyqësore kanë vendosur pajisje regjistruese në automjetinqë është përdorur nga shtetasi Dario Myftiu, me të cilën janë regjistruar bisedat që janë kryer brenda në automjet.

Nga data 11.02.2020 dhe në vazhdim, duke përfshirë edhe periudhën e muajit dhjetor të vitit 2020, është vendosur lejim i përgjimit të bisedave ambientale në automjetin që është përdorur nga shtetasi Dario Myftiu.

Shtetasi Igli Haxhiaj ka kryer në vijim funksionet e oficerit të policisë gjyqësore në kryerjen e përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve për të gjithë subjektet e hetimit të procedimit penal, për të cilat është autorizuar në vazhdimësi kryerja e përgjimeve në vende publike.

Gjithashtu, shtetasi Igli Haxhiaj ka qenë i pranishëm në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në kryerjen e veprimeve të fshehta të instalimit të pajisjeve teknike të përgjimit në automjetin e në përdorim të shtetasit Dario Myftiu, veprim i cili është kryer në datën 12.03.2022.

Të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të përgjimit të bisedave telefonike, të përgjimit të bisedave ambientale në automjetin me targa AA691RE, si dhe të përgjimit dhe vëzhgimit të personave në vënde publike, kanë qenë veprime hetimore dhe procedurale të cilat bazuar në nenin 279/1 të Kodit të Procedurës Penale, përbëjnë “Sekret hetimor”.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta