Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është takuar në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin, vetëm pak ditë para nisjes së bisedimeve midis Rusisë dhe SHBA-së për përpjekjet e fundit diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Takimi, i transmetuar gjerësisht nga mediat ruse, vjen në një moment kritik si për konfliktin, ashtu edhe për pozicionin politik të Orbanit në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Putin vlerësoi “qëndrimin e ekuilibruar” të Orbanit ndaj luftës në Ukrainë dhe e falënderoi atë për propozimin që Budapesti të shërbejë si vendi pritës i një samiti të mundshëm Rusi–SHBA me Presidentin Donald Trump.
Kreu i Kremlinit tha se Trump e ka parë me interes idenë e Budapestit si vend neutral, por nismat për një “samit paqeje” janë shtyrë pasi pala ruse nuk pranoi të zbusë kërkesat e saj maksimaliste.
Takimi në Kremlin përfshiu edhe zyrtarë të lartë rusë, mes tyre Yuri Ushakov, negociator i Rusisë në bisedimet me SHBA-në. Gjatë diskutimeve, Orban përmendi se vizita është pjesë e fazës së dytë të një strategjie për të garantuar furnizime të qëndrueshme të energjisë ruse për Hungarinë, Sllovakinë dhe Serbinë për dimrin e ardhshëm.
Top Channel