Izraelitët vrasin dy palestinezë të dorëzuar, shpërthen indinjata ndaj IDF-së

28/11/2025 17:30

Ka bërë xhiron e botës lajmi se forcat izraelitë vranë dy burra palestinezë në Bregun Perëndimor, pasi ata ishin dorëzuar.

Palestinezët thanë se vrasjet, të cilat u filmuan dhe u shfaqën në dy kanale televizive arabe, u kryen “me gjakftohtësi”. Një pjesë e komenteve në rrejtët sociale e cilësuan “një ekzekutim të pastër”.

Në videon e publikuar nga BBC, burrat shiheshin duke dalë nga një ndërtesë dhe duke u shtrirë përtokë përpara forcave izraelite në qytetin verior të Xheninit. Ata ngritën bluzat si për të treguar që nuk kishin eksplozivë në trup, dhe i mbanin duart lart.

Ushtarët më pas i urdhëruan të ktheheshin brenda ndërtesës dhe papritur i qëlluan. Një gazetar i Reuters në zonë pohoi se kishte parë në tokë trupat e pajetë. Viktimat u identifikuan nga autoritetet palestineze si al Muntasir Abdullah, 26 vjeç, dhe Yousef Asasa, 37 vjeç.

IDF-ja deklaroi se forcat e saj kishin vepruar në Xhenin për të kapur individë të kërkuar që kishin kryer aktivitete terroriste, duke përfshirë hedhjen e eksplozivëve dhe të shtënat ndaj forcave të sigurisë. Sipas tyre megjithatë, incidenti është duke u shqyrtuar nga komandantët në terren dhe do t’u transferohet organeve përkatëse profesionale.

Palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut megjithatë thonë se hetimet izraelite në incidente të tilla japin pak rezultate, me trupat e shtetit hebre rrallëherë ndiqen penalisht.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta