Video-Lajm/ Festat e 28-29 nëntorit, ndjehen edhe në vendin fqinj. Shqiptarët “pushtojnë” qendrën e Athinës Në qendër të Vlorës, aty ku 113 vite më parë, Shqipëria u shpall shtet i pavarur dhe sovran, qëndron madhështor Monumenti i Pavarësisë, realizuar nga Artistët e Popullit, skulptorët Mumtaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.
Në mes të veprës, që u vendos në këtë shesh në vitin 1972, është vendosur statuja e kreut të parë të shtetit shqiptar, ndërsa portretet e tjera reflektojnë tiparë të luftëtarëve veriorë e jugorë. Në një intervistë për Top Channel, Mumtaz Dhrami kujton bisedat me Byronë Politike nga ideja te miratimi i monumentit.
“Vërejtjet lidhen me natyrën statike të figurave, në letrën që na dërgoi Enver Hoxha na tha që figurat janë të zbukuruara, por lufta i hedh poshtë paradat dhe kostumet dhe vërejtje të tjera që na bënë na ndryshojmë tërësisht kompozimin, duke hequr ngarkesat e tepërta, duke i dhënë më tepër dinamikë, duke shtuar figurën e rilindasit, për të treguar që luftërat vazhduan edhe me penë, jo vetëm me armë. E bëmë kompozimin më të fuqishëm në mënyrë vertikale, duke shtuar figurën e flamurtarit”, shprehet Dhrami.
Dy vite punë për të arritur te inaugurimi që u bë me rastin e 60-vjetorit të pavarësisë. Talenti, përkushtimi dhe bashkëpunimi mes kolegësh solli një vepër që tashmë i përket përjetësisë.
Skulptori thotë: “Ishim tolerantë dhe mirëkuptues ndaj punës së njëri-tjetrit. E pranonim kur diçka kolegu e kishte bërë më mirë, egoja personale bëhej kurban për punën e përgjithshme, për të ruajtur unitetin plastik”.
Puna në terren në një monument që arrin 17 metër lartësi nuk ishte e lehtë. Dhrame tregon si Rama u aksidetua teksa skaliste heronjtë.
“U thye shkalla, u rrëzua dhe u godit në kokë. Nuk kishte mundësi të ngjitej më pas në skelë, e kishte të pamundur të punonte te figura e flamurtarit sipër. Atë figurë e realizova unë me Shabanin dhe u punuam direkt në allçi. Pjesa tjetër është punuar në baltë. Është derdhur më pas në bronz dhe është montuar e gjitha”, shprehet skulptori.
Teksa sheh me krenari dhe emocion këtë vepër të trashëgimisë sonë kulturore, artisti nuk fsheh revoltën për ndryshimet që ka pësuar ndër vite, që sipas tij shkatërrojnë raportin e monumentit me spektatorin.
Mumtaz Dhrami shton: “Kjo platformë është zëvendësuar me tre palë shkallë që i bëjnë keq monumentit. Monumenti duhet të vazhdonte deri në tokë, jo të vendoseshin këto shkallët si tortë. Arkitektët nuk u konsultuan me autorët, dy kolegët e tjerë kishin ndërruar jetë, por mua mund të më pyesnin. Edhe po të ishin gjallë kolegët e mi, do të thoshin të njëjtën gjë, sepse nuk lidhet fare me psikologjinë e monumentit. Humbet raporti i monumentit me spektatorin”.
Top Channel