Bisedimet për armëpushim në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit: Po negociojmë vetëm me palën amerikane
Ushtria izraelite njoftoi sot se ka gjetur trupat e nëntë militantëve të tjerë palestinezë të Hamasit që u vranë së fundmi në operacionet e saj për të eliminuar rrjetin e tuneleve në Rripin jugor të Gazës.
Gjatë operacioneve në sektorin lindor të Rafah, ushtarët “gjetën nëntë terroristë të tjerë që ishin neutralizuar brenda infrastrukturës nëntokësore terroriste”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.
“Deri më tani, më shumë se 30 terroristë që u përpoqën të shpëtonin përmes këtyre tuneleve janë neutralizuar në zonën e Rafah”, shtoi zëdhënësi i ushtrisë izraelite ajo.
Njoftimi erdhi ndërsa burime të shumta i thanë AFP të enjten se negociatat ishin duke u zhvilluar për fatin e dhjetëra militantëve të Hamasit që kanë qenë të bllokuar për javë të tëra në tunele në zonat e Rripit të Gazës të kontrolluara nga ushtria izraelite.
Dje, duke pranuar për herë të parë situatën e zbuluar më parë këtë muaj nga i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff, Hamasi u kërkoi vendeve ndërmjetëse të ushtronin presion mbi Izraelin që të lejonte luftëtarët e tij të dilnin nga tunelet në mënyrë të sigurt.
Sipas kushteve të armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Hamasit, nën presionin e SHBA-së, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, ushtria izraelite u tërhoq përtej “vijës së verdhë” brenda Gazës, që do të thotë se ajo ende kontrollon më shumë se 50% të enklavës palestineze.
Sipas një burimi nga një prej vendeve ndërmjetësuese, SHBA-të, Katari, Egjipti dhe Turqia po punojnë për “një kompromis që do t’u lejonte luftëtarëve të Hamasit të tërhiqeshin nga tunelet pas vijës së verdhë, pranë Rafah”.
“Propozimi aktual u ofron atyre kalim të sigurt në zona që nuk kontrollohen nga Izraeli, në mënyrë që të sigurohet që çështja të mos bëhet një pikë fërkimi që çon në shkelje të reja të armëpushimit ose në shembjen e tij”, theksoi burimi.
Sipas një zyrtari të Hamasit në Gaza, “60 deri në 80 luftëtarë” të organizatës palestineze janë ende në tunelet nën Rafah.
I pyetur për këtë në fillim të nëntorit, një zëdhënës i Benjamin Netanyahut i tha AFP-së se kryeministri izraelit nuk ishte i përgatitur t’u ofronte atyre kalim të sigurt.
Armëpushimi mbetet i brishtë, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje çdo ditë, ndërsa Rripi i Gazës, i shkatërruar nga operacionet ushtarake izraelite, mbetet i zhytur në një krizë serioze humanitare.
Top Channel