Ceremoni madhështore në Ankara, Papa Leone XIV pritet nga presidenti Erdogan

27/11/2025 14:41

Papa Leone XIV u prit këtë të enjte nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në Kompleksin Presidencial në Ankara, në një ceremoni zyrtare të shoqëruar me nderime ushtarake dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të shtetit.

Dy udhëheqësit u drejtuan drejt zonës të ceremonisë, ku u luajtën himnet kombëtare të dy vendeve, të shoqëruara nga shtëna topash.

Më pas u zhvillua prezantimi i delegacioneve, ku Erdogan dhe Papa Leone XIV paraqitën anëtarët e ekipeve të tyre përkatëse. Ceremonia vijoi me tërheqjen e dy delegacioneve për bisedime private në kuadër të vizitës zyrtare të Atit të Shenjtë në Turqi.

Në takim morën pjesë Zëvendëspresidenti turk Cevdet Yılmaz, ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës Hakki Süsmaz, drejtori i Komunikimeve Presidenciale Buranettin Duran, drejtori i Zyrës Private Presidenciale Hasan Doğan, këshilltarë të lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë, si dhe guvernatori i Ankarasë Vasip Şahin.

Të premten, Papa Leone do të vizitojë qytetin e lashtë të Nikeas (Iznik), për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit të famshëm që përcaktoi parimet e besimit të krishterë. Kredoja e Nikeas, e hartuar në atë takim, mbetet themel i doktrinës për shumicën e katolikëve, ortodoksëve dhe protestantëve sot.

Vizita ishte fillimisht dëshirë e Papa Françeskut, i cili nuk arriti ta realizonte për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Papa Leone u zgjodh në prill, pas ndarjes nga jeta të Françeskut.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta