U përplas me të besuarën e Trump dhe Chris LaCivita pas fushatës së 2024, Presidenti i SHBA gati të largojë nga detyra këshilltarin për Sigurinë

26/11/2025 11:33

Shtëpia e Bardhë po përgatitet për ndryshime në Kabinet pasi Presidenti Donald Trump të mbushë një vit në detyrë, duke rrezikuar të tundë ekipin e tij deri tani të qëndrueshëm të sekretarëve, sipas disa personave të njohur me diskutimet.

Grupi i sekretarëve, administratorëve dhe drejtorëve të Trump-it që përbëjnë Kabinetin zyrtar deri tani ka qenë relativisht i qëndrueshëm — me qëllim, pasi zyrtarët pranë presidentit synuan të shmangnin imazhin e rotacionit të shpeshtë që shoqëroi mandatin e tij të parë. Por kjo mund të ndryshojë ndërsa ai përmbush vitin e parë të mandatit të tij të dytë në janar.

Të paktën një nga agjencitë federale që mund të përballet me ndryshime është Departamenti i Sigurisë Kombëtare, agjencia federale e drejtuar nga Kristi Noem, e ngarkuar me zbatimin e premtimit të Trump për dëbime masive. Burime kanë thënë gjithashtu se mund të ketë ndryshime në Departamentin e Energjisë, i cili aktualisht drejtohet nga Chris Wright, një ish-ekzekutiv në Kolorado, marrëdhëniet e të cilit me Shtëpinë e Bardhë janë tensionuar muajt e fundit.

Ndërsa diskutimet po vazhdojnë, zyrtarët theksojnë se nuk është marrë asnjë vendim, dhe pritet që Kabineti të mbetet i pandryshuar të paktën deri në fillimin e vitit të ardhshëm.

“Kabineti nuk po ndryshon, pavarësisht sa shumë CNN dëshiron që të ndryshojë, sepse ata ushqehen me drama,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

 

Tensionet në Departamentin e Sigurisë Kombëtare

 

Vetë Trump është i kënaqur me Noem, kanë thënë disa burime për CNN, dhe ai e ka lavdëruar vazhdimisht në publik dhe në takime private. Por në prapaskenë, disa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë janë ndjerë të frustrur me këshilltarin kryesor Corey Lewandowski, një mik i vjetër i Noem, i cili u përzgjodh herët për të shërbyer në DHS si punonjës i posaçëm qeveritar, një rol ky i përkohshëm.

“Presidenti e do Kristi-n. Ai e do punën që ajo po bën,” tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CNN, duke mohuar idenë se ish-guvernatorja e Dakotës së Jugut ishte në rrezik shkarkimi.

Historia e Lewandowski-t me Noem, që nga koha kur ajo ishte guvernatore, dhe drejtimi i përbashkët i departamentit nga të dyja palët ka ngritur pyetje nëse ata mund të largohen së bashku, duke lënë të lirë postin e sekretarit të DHS.

Një personazh i njohur në rrethin e Trump-it, që ndihmoi në drejtimin e fushatës së tij në vitin 2016, Lewandowski është bërë figurë qendrore në DHS dhe shpesh qëndron pranë Noem. Pushteti i madh që ai ka grumbulluar e ka vënë në shënjestër të disa zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

“Po, ai e pëlqen [Noem], por i është tërhequr vëmendja që [Lewandowski] është një problem, dhe agjencia po keqmenaxhohet për shkak të tij,” tha një person pranë Shtëpisë së Bardhë.

Në DHS, Lewandowski ka drejtuar shkarkimin e punonjësve, ka kërkuar që disa të vendosen në pushim administrativ, ka telefonuar drejtuesit e agjencive “për t’i bërë përgjegjës”, dhe është përshkruar si një mikro-menaxher, përfshirë edhe për përdorimin e fondeve të mëdha që departamenti ka marrë për të përshpejtuar dëbimet. Disa burime i thanë CNN se Lewandowski ka fituar reputacion për qortimin e zyrtarëve që ai i sheh si pengesë për axhendën e administratës.

“Rezultatet e jashtëzakonshme që vijnë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, një kufi historikisht i sigurt, komunitete amerikane më të sigurta dhe dëbime të suksesshme të emigrantëve të paligjshëm me precedent penal, nën drejtimin e Presidentit Trump dhe udhëheqjen e Sekretares Noem, flasin vetë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson.

Një zëdhënës i DHS tha në përgjigje të pyetjeve të CNN: “Zoti Lewandowski sigurisht ka reputacion për qortimin e zyrtarëve që pengojnë ose ngadalësojnë administratën dhe minojnë vullnetin e popullit amerikan, populli amerikan votoi për Donald J. Trump, jo për një burokrat.”

Në shtator, Trump thirri një takim me Lewandowski dhe Noem mbi menaxhimin e DHS, sipas dy personave të njohur me ngjarjen. Njëri prej tyre tha se takimi në Zyrën Ovale u bë i tensionuar, veçanërisht mes Lewandowski-t dhe Trump-it, i cili doli i irrituar nga takimi. Ky takim i tensionuar u vu re nga disa njerëz brenda Shtëpisë së Bardhë që besojnë se Lewandowski ka mbijetuar vetëm falë marrëdhënies së tij të fortë me presidentin.

Marrëdhëniet e Lewandowski-t me shumë prej njerëzve të brendshëm të Trump-it, përfshirë Shefen e Stafit Susie Wiles, janë të tendosura pas fushatës së vitit 2024, sipas disa burimeve brenda dhe rreth Shtëpisë së Bardhë. Lewandowski u thirr për të punuar për bashkëkryetarët e fushatës Wiles dhe Chris LaCivita vetëm pak muaj para Ditës së Zgjedhjeve, me kandidatin që i tha ish-menaxherit të tij të fushatës se i mungonin ditët e vjetra të fushatës së parë presidenciale.

Dinamika shpejt u kthye në një luftë pushteti, me Wiles dhe LaCivita të irrituar nga përpjekjet e Lewandowski-t për t’u imponuar në vendimet me nivel të lartë, shpesh duke shkuar drejtpërdrejt te Trump-i, thanë njerëz të njohur me situatën për CNN në atë kohë.

Lewandowski u la mënjanë para se të përfundonte fushata dhe nuk mori një post të lartë. Në vend të kësaj, ai përfundoi në Sigurinë Kombëtare me një status të përkohshëm të punës që supozohet të zgjasë vetëm 130 ditë pune brenda një viti. Edhe pse Lewandowski filloi të punonte për DHS pak pasi Trump u rikthye në detyrë, zëdhënësi tha se ai ende kishte 40 ditë të mbetura.

I pyetur për marrëdhënien aktuale, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Wiles kishte një takim me Noem dhe Lewandowski këtë javë lidhur me FEMA.

Gjatë mandatit të parë të Trump-it, DHS shpesh ishte në shënjestër të zemërimit të presidentit për shkak të perceptimit se nuk po bënte mjaftueshëm për të shtrënguar imigracionin. Gjatë atij mandati, departamenti pati pesë sekretarë, tre prej të cilëve shërbyen në detyrë të përkohshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta