Negociatat për luftën Rusi–Ukrainë, kancelari Merz: Putin duhet të kuptojë rëndësinë e evropianëve në këtë çështje

26/11/2025 17:28

Kancelari gjerman, Friedrich Merz paralajmëroi se SHBA-ja nuk duhet të anashkalojë europianët në negociatat me Rusinë për Ukrainën, duke theksuar se çdo marrëveshje kërkon dakordësinë evropiane.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlamentin gjerman, ai tha se europianët duan të shohin një fund të luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, lideri gjerman theksoi se çdo marrëveshje e negociuar midis “fuqive të mëdha” pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e Europës nuk do të sigurojë një bazë për paqe të qëndrueshme.

“Në këtë moment të fatkeq për Ukrainën, për Europën dhe për aleancën tonë me SHBA-në, dua gjithashtu të bëj të qartë: çështjet evropiane mund të vendosen vetëm me dakordësinë e Evropës”, pohoi Merz.

“Europa nuk është një pion, por një aktor sovran që ndjek interesat dhe vlerat e saj. Dhe në të gjitha këto zhvillime, nuk duhet të harrojmë këtë, kjo luftë mund të përfundojë nesër nëse Rusia ndalon luftën e saj të paligjshme dhe tërheq trupat nga territori i huaj”, shtoi ai.

Lideri konservator mirëpriti ndryshimet e bëra në planin fillestar me 28 pika të presidentit amerikan, Donald Trump pas bisedimeve midis delegacioneve të SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës në Gjenevë të dielën.

“Bashkimi tani është thelbësor, bashkimi në Evropë, bashkimi me Ukrainën dhe bashkimi në aleancën transatlantike”, deklaroi udhëheqësi gjerman, duke shtuar se vendet perëndimore duhet të ushtrojnë më shumë presion ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe ta detyrojnë Kremlinin të ulet në tryezën e negociatave.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta