Kush e nxori regjistrimin mes të besuarve të Trump dhe Putin? Zyrtari i Kremlinit dyshon te Whatsapp: Ka disa biseda që mund të…

26/11/2025 23:03

Rusia tha të mërkurën se publikimi i një regjistrimi të një bisede telefonike mes këshilltarëve të lartë të Donald Trump dhe Vladimir Putin ishte një përpjekje e papranueshme për të minuar negociatat e paqes për Ukrainën dhe përbën luftë hibride.

Bloomberg News publikoi transkriptin e një telefonate të 14 tetorit, në të cilën i dërguari i Trump, Steve Ëitkoff, i jep këshilla ndihmësit për politikën e jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, se si t’ia paraqesë Trump-it një plan paqeje për Ukrainën.

Bloomberg tha se kishte shqyrtuar regjistrimin, por nuk sqaroi se si kishte marrë akses në një bisedë shumë të ndjeshme mes zyrtarëve të lartë të dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Ushakov tha se bisedat e tij me Witkoff nuk ishin të destinuara për t’u publikuar dhe nuk duhej të ishin bërë publike.

“Kjo është e papranueshme,” tha Ushakov për mediat ruse. Ai shtoi se rrjedhja e informacionit synonte qartësisht të pengonte diskutimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për gazetën Kommersant, Ushakov tha se disa nga bisedat e tij janë zhvilluar përmes kanaleve të qeverisë të enkriptuara, të cilat rrallëherë përgjohen dhe publikohen, përveç rasteve kur njëra palë e synon këtë qëllimisht.

“Ka disa biseda në WhatsApp që, në përgjithësi, dikush mund të jetë në gjendje t’i përgjojë,” tha Ushakov.

Ai e përjashtoi mundësinë që rrjedhja të ketë ardhur nga pjesëmarrësit në telefonatë dhe tha se do ta ngrejë çështjen me Witkoff.

Drejtori i Fondit Rus të Investimeve të Drejtpërdrejta, Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit për investime, tha se raportimi i Bloomberg për një telefonatë të 29 tetorit mes tij dhe Ushakov ishte “i rremë”.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se disa organizata mediatike po përdoren si pjesë e një lufte hibride informative të zhvilluar nga vendet evropiane kundër Rusisë – dhe që synon minimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.

Bloomberg nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi kritikat ruse, apo mbi mënyrën se si i kishte siguruar regjistrimet.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta