Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, LVV nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër Partitë politike kanë nisur përgatitjet e bashkëpunimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Të mërkurën, Partia Demokratike e Kosovës njoftoi bashkëpunimin me Listën për Familjen, deputetët e larguar para një viti nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kemi bë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni dhe kësaj marrëveshjeje është të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progress dhe të ndryshojmë gjendjen në vend”, shprehet kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Nga ana tjetër, Eman Rrahmani – kryetar, Lista për Familjen: “Këtu kemi një marrëveshje të bashkëpunimit ku na është dhënë hapësira për me e pas kandidatët tonë për deputetë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe do të jetë një listë edhe përmbajtjesorë edhe vlerore”.
Hamza shtoi se PDK-ja është e hapur edhe për bashkëpunime të tjera, porse forma e tyre do të vendoset para mbylljes së afatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshe nga PDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit është e hapur për partitë politike vetëm për bashkëpunim në kuadër të listës zgjedhore, e jo për koalicione.
Bashkëpunimin LDK – NISMA e ka konfirmuar kryetari i kësaj të fundit, Fatmir Limaj, që po ashtu mohoi të ketë pasur ftesë nga PDK-ja.
“Nuk kemi pasur ftesë asnjëherë nga PDK-ja. Jemi në kontakt me LDK-në”, tha shkurt Limaj për Top Channel.
Ndërkohë nga LDK, riafirmojnë qëndrimin e tyre, se kush do bashkëpunim me ta, duhet të pajtohet me garë nën siglën e partisë.
Armend Zemaj – anëtar i LDK-së tha: “Ka pasur bisedime parimore, nuk them që nuk ka edhe teknike por janë në përmbajtjen që e ka thënë vetë kryetari i LDK-së”.
Më 7 dhjetor përfundon afati që kanë partitë politike për të dorëzuar koalicionet dhe listat garuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Top Channel