Isopolifonia 20 vite në UNESCO, program aktivitetesh në Gjirokastër, artistët popullorë: Do e trashëgojmë në breza

26/11/2025 12:32

20-vjetori i përfshirjes së këngës isopolifonike në Trashëgiminë Kulturore Botërore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s është shoqëruar me një program aktivitetesh kulturore në Gjirokastër.

Në 25 nëntor 2005 kënga polifonike do të certifikohej si një prej Pasurive Botërore, cilësim të cilin e ka merituar në shekuj duke arritur të mbijetojë dhe të vijë deri në ditët tona falë brezave të këngëtarëve, interpretuesve dhe mbartësve të saj.

Ispolifonia në rrugëtim e saj shumëshekullor është interpretuar në mjediset familjare, shoqërore, skena artistike duke përcjelle për artdashësit vlerat e folklorit dhe traditës sonë kombëtare.

Artistët popullorë të moshave të ndryshme shprehen se isopolifonia do të vazhdojë të ngelet e gjallë dhe përcillet në breza si mishërim i shpirtit të vetë kombit shqiptar.

“Sot është 20-vjetori i isopolifonisë, jam shumë i emocionuar dhe krenar që në këtë ditë po trashëgoj brez pas brezi me familjen time po ashtu edhe me brezat e rinj duke dhënë kontributin tim të veçantë”, u shpreh, Alvaro Çenko, këngëtar popullor.


“Unë mund ta quaj epiqendra e polifonisë Gjirokastrën ngaqë bëhen edhe festivalet folklorike kombëtare, polifonia shqiptare në 20-vjetorin e saj vjen më ndryshe, e them këtë sepse ka patur kohë që ajo filloi të degradojë jo vetëm në variacione melodikë por edhe në kostumet tradicionalë kështu që aktivitetet e ndryshme dhe pranimi i polifonisë së një zone apo të një tjetre, e cila përbën thelbin dhe në esencë quhet polifoni ka një status të veçantë për Shqipërinë është një yll që qëndron në medaljonin e artit dhe folklorit shqiptar”, tha Shkëlqim Guçe, këngëtar popullor.

“Kënga polifonike për mua më pëlqen shumë, jemi mbledhur shpesh herë me shokët për të kënduar këngë polifonike dhe shpresoj që të vazhdojë edhe më tej kjo në çdo brez”, u shpreh Elsion Myrtaj, këngëtar popullor.

Falë dëshirës dhe vullnetit të këngëtarë të vjetër popullorë kënga polifonike po përcillet tek të rinjtë duke ruajtur të gjalla vlerat e saj, si pjesë e vyer e traditave tona kombëtare.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta