Inside Story/ Pasojat e tentakulave nga jashtë, fshati jugor ku 100% e banorëve morën dokumente greke

26/11/2025 21:58

Fshati më karakteristik është Andon Poçi, i cili është tërësisht i banuar nga popullsi vllehe.

“Është 100%, ose thuajse 100% me vlleh. U formua rreth vitit 1957 dhe në vazhdimësi, numri i banorëve dhe familje u shtua. Në 1990 ishin rreth 250 familje me 1000 banorë. Pas viteve 90, pjesa më e madhe ka emigruar në Greqi, por ka pasur dhe migracion të brendshëm në Tiranë dhe Gjirokastër”, u shpreh administratorja Mimoza Shëngjergji.

Sot rrugët e fshatit janë të shkreta dhe shumica e personave që banojnë aty janë të moshës së tretë. Shpejt, ekzistenca e fshatit, mund të kujtohet vetëm nga librat e historisë.

“Këtu është një fshat që jemi të gjithë vllehnjëve dhe në 90 emigruam të gjithë. Të gjithë punuan dhe u kthyen sërish në fshat. Duke thënë se çdo gjë u rregullua. U përpoqëm të bënim diçka. Këtu për 10 vite nuk besoj të ketë më. Është fshat i bukur, kanë hedhur shumë djersë dhe erdhi koha. Keta këtu do mbeten. Po shuhet, sado që bëjmë organizime për gjuhën, apo traditat tona, po e shoh që po e humbasim çdo ditë”, tha Apostol Basha nga komuniteti vlleh.

“Sot më vjen keq të të them, por nëse një fshat nuk ka shkollë, të reja të rinj që shkollohen, të lindin. Detyrimisht kjo mosha jonë do të vijë duke u shuar. Detyrimisht po. Duke iku brezat, po ikën brezi im, i djalit tim. Duke mos u përdorur gjuha, duke mos u studiuar dhe përpunuar, kjo gjuhë do të vijë duke u shuar”, tha studiuesi i historisë Nasho Shytani.

Ashtu si në vendet e tjera dhe në Andon Poçi, Greqia ka pajisur thuajse 100% të fshatit me pasaporta greke. Pra, një fshat i tërë i pajisur me dokumente të vendit fqinj. Një skenar për të identifikuar një zonë të tërë si zonë minoritare greke. Në fakt, vetë banorët nuk kanë frikë të thonë se ndihen shqiptarë, pavarësisht të mirave ekonomike nga Greqia.

“Ne greku na ka ndihmuar shumë, jo vetëm ne, të gjithë shqiptarët. Sa qëndrova unë atje, Greqia ka patur në të gjitha hallkat çobenë. Shteti shqiptar nuk më jep shans të më japë një punë, jo mua, fëmijëve tanë. Pse fëmija im të rrijë në Greqi.

Identiteti? Unë kam lindur në Shqipëri. Si e ndjen veten ti? Unë shqiptar, po të ishte rrija në Greqi. Pse s’kisha unë të haja të pija, të blija një shtëpi si gjithë vllehët, por mua më mori malli për vendin tim, ku u linda, ku u rrita”, tha Apostol Basha nga komuniteti vlleh.

Nasho Shytani, mësuesi i fshatit, është dhe më i ashpër me qëndrimet e tij në raport me politikat greke. Në moshë të thyer tashmë, Shytani mbetet patriot shqiptar dhe flet pa doreza.

“Greku sot për sot kërkon që jo ti ringjallë, por ti thithi, ti marrë për vete të shtojë numrin e popullsisë. Shqiptarët, ne jemi shqiptarë, kemi kontribuar, kemi ndërtuar, kur i thonë kemi hedhur një gur në ndërtimin e një ndërtese.

Dikush mendon se jemi grekër, serbë, ku di unë. Unë kam dy shtetësi, por vendin tim nuk e lë unë. Ky është vendimi im. Kam jetuar, kontribuar, punuar, martuar, lindur e rritur fëmijë. Kam kontribuar 48 vite për këtë vend, kanë kaluar në duart e mia me qindra e me mijëra fëmijë’, tha  Nasho Shytani.

Nasho e pranon se për shkak të rrethanave e ka pranuar dhe vetë të pajiset me pasaportë greke, por kjo ka ardhur për nevoja ekonomike. Pavarësisht se mësuesi nuk e hedh poshtë kontributin e grekëve, sidomos pas 90, në lidhje me identietin nuk ka asnjë kompromis.

“Nuk ka të drejtë kush të më thotë se je grek, apo je serb, jo. Pavarësisht se kam njëfarë dokumenti. Dokumenti kartë është, një kartë që dhe mund ta gris e ta hedh në kosh. Por ama, unë jam i tillë, jam shqiptar, kam kontribuar për këtë vend.

Unë kam pasaportë shqiptare, edhe greke se qëndrova 25 vite. Unë nuk e mora pasaportën se isha grek, por se qëndrova atje 25 vite”, u shpreh  Nasho Shytani.

Mbase Andon Poçi në një të ardhme të afërt do të zbrazet. shpresojmë që të mos përballemi me diçka të tillë, por dhimbja më e madhe e banorëve që kanë zgjedhur të kalojnë dhe vitet e fundit të jetës në fshatin e tyre, lidhet me rrezikun e asimilimit të komunitetit vlleh.

“Zhdukja e këtij komuniteti do të jetë diçka e rrezikshme. Djali e vajza e dinë shumë mirë dhe nipërit e dinë mirë, ndërsa stërnipërit nuk e flasin. Për këtë më vjen kaq keq, sa idenë se ke”, tha studiuesi i historisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta