Video/ Periferia e Londrës në flakë, shpërthimi në një depo fishekzjarrësh mbulon zonën me re të zeza tymi

25/11/2025 17:12

Një zjarr masiv shpërtheu në një depo në Southall, në perëndim të Londrës ndërsa mijëra banorë u evakuuan dhe shumë nxënës të një shkolle aty pranë u larguan menjëherë nga vendngjarja.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Londrës, 150 zjarrfikës me 25 automjete po punojnë për të shuar flakët, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet i panjohur, ndërsa deri më tani nuk raportohet për të lënduar apo viktima.

“Është shpallur një incident serioz ndërsa zjarrfikësit po merren me një zjarr në një depo në Bridge Street, Southall. Ky vendim u mor për shkak të pranisë së dyshuar të fishekzjarrëve dhe bombolave të ruajtura brenda ndërtesës. Të gjithë zjarrfikësit po punojnë nga një distancë e sigurt dhe nuk janë në rrezik”, thanë autoritetet.

Zjarri ka përfshirë një ndërtesë dykatëshe që përmban një depo dhe një hapësirë tregtare, ndërsa rreth tre të katërtat e saj janë në flakë. Në vendngjarje janë vendosur tre shkallë rrotulluese, të cilat po u mundësojnë ekipeve të shuarjes të punojnë nga lartësia.

Për shkak të kompleksitetit të ndërtesës dhe përmasave të mëdha të zjarrit, pritet që incidenti të zgjasë gjatë dhe operacionet të vazhdojnë për gjithë ditën.

Një shkollë dhe një bllok apartamentesh janë evakuuar si masë paraprake, ndërsa retë e tymit mund të shihen në të gjithë Londrën perëndimore. Banorëve u kërkohet të mbajnë dyert dhe dritaret të mbyllura.

Trafiku në zonë pritet të jetë i rënduar dhe qytetarëve u rekomandohet ta shmangin zonën nëse është e mundur.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta