Trump nis të dërguarin e Posaçëm në Moskë, do të takohet me Putin për të diskutuar planin e paqes

25/11/2025 21:11

Presidenti amerikan, Donald Trump tha në mediat sociale se i ka udhëzuar këshilltarit të tij Steve Witkoff të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në lidhje me planin e paqes në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Nënsekretari i Mbrojtjes për Ushtrinë Driscoll do të takohet me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të njëjtën arsye.

Takimet do të zhvillohen “me shpresën e finalizimit” të marrëveshjes së paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, shkruan presidenti amerikan.

Kujtojmë se ditën e sotme presidenti tha që një marrëveshje për paqe në Ukrainë është shumë afër dhe se negociatat e ditëve të fundit sollën përparim të madh mes palëve.

“Javën e kaluar, ekipi im bëri përparim të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës (një luftë që NUK do të kishte filluar KURRË nëse unë do të kisha qenë President!). Muajin e kaluar, 25,000 ushtarë humbën jetën.

Plani origjinal i paqes me 28 pika, i hartuar nga Shtetet e Bashkuara, është rafinuar, me kontribut shtesë nga të dyja palët, dhe kanë mbetur vetëm disa pika mosmarrëveshjeje. Me shpresën e finalizimit të këtij plani paqeje, kam udhëzuar të dërguarin tim të posaçëm, Steve Witkoff, të takohet me Presidentin Putin në Moskë, dhe, në të njëjtën kohë, Nënsekretari i Mbrojtjes për Ushtrinë, Dan Driscoll, do të takohet me ukrainasit.

Do të informohem për të gjitha zhvillimet, së bashku me Zëvendëspresidentin J.D. Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Sekretarin e Luftës Pete Hegseth dhe Shefen e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles.

Pres me padurim të takohem me Presidentin Zelensky dhe Presidentin Putin së shpejti, por VETËM kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të jetë PËRFUNDIMTARE ose në fazat e saj përfundimtare. Faleminderit për vëmendjen tuaj. për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe le të shpresojmë të gjithë që PAQJA të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur!”, shkroi Trump.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta