Kryetari i Kuvendit nis nga Austria turin e diplomacisë parlamentare për Integrimin Europian, Peleshi: Ne shqiptarët duam të jemi me dinjitet në BE

25/11/2025 13:37

Në kuadër të një vizite zyrtare në Austri, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit austriak, Walter Rosenkranz, duke shënuar nisjen e një faze të re të diplomacisë parlamentare shqiptare për avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kryetari Peleshi theksoi se pas mbështetjes së Komisionit Europian, Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve anëtare, tashmë është thelbësore sigurimi i mbështetjes së parlamenteve kombëtare dhe qytetarëve të vendeve të BE-së. Ai u shpreh se kjo nismë nisi nga Vjena, duke vlerësuar rolin historik të Austrisë si një aleat i qëndrueshëm i Shqipërisë që prej shpalljes së pavarësisë dhe në vijimësi, në mbështetje të objektivit strategjik kombëtar, anëtarësimit në familjen europiane.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje angazhimin e vijueshëm të Austrisë për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë proces një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian dhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në kontinent.

Të dy palët vlerësuan nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, si dhe për të intensifikuar bashkëpunimin parlamentar në nivele të ndryshme, nga drejtuesit e lartë, te komisionet, grupet e miqësisë dhe shërbimet parlamentare.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rolit aktiv të Shqipërisë në nismat rajonale që mbështesin dialogun dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe Austria mbeten partnerë kyç në fushën e sigurisë, duke ndarë qëndrime parimore mbi sigurinë europiane dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Në fokus ishte edhe mbështetja për Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë shtimin e njohjeve, avancimin e integrimeve euro-atlantike, dialogun Prishtinë-Beograd dhe rolin e Austrisë për heqjen e plotë të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Të dy vendet riafirmuan qëndrimin e përbashkët për të vijuar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Europë dhe më gjerë.

Peleshi komentoi gjithashtu vizitën dhe historikun e marrëdhënieve me Austrinë: “Sapo kemi përfunduar një bisedë shumë interesante dhe shumë të vlefshme gjatë vizitës sime të parë në Austri me homologun, Kryetarin e Parlamentit Austriak. Është një kënaqësi e veçantë dhe jo e rastësishme që vizita ime e parë, po edhe e një delegacioni nga Parlamenti Shqiptar, zhvillohet në Austri, një vend që ka mbështetur Shqipërinë që në ditët e para të pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë.”

Ai shtoi se lidhjet me Austrinë janë jo vetëm politike, por edhe emocionale dhe njerëzore, duke kujtuar mbështetjen historike që ky vend i ka dhënë elitës intelektuale shqiptare, iniciativave si “Punishtja e Demokracisë”, si dhe bashkëpunimeve të reja akademike mes universiteteve të Shqipërisë dhe Austrisë.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta