Më 4 dhjetor finalia e Super Viareggio Cup, Genoa-Vllaznia, Duka: Kemi suksese se punojmë dhe kemi uri…
Kombëtarja shqiptare ka mbyllur me një arritje historike eliminatoret e kampionatit botëror, duke u kualifikuar për në fazën e Play off-it, ku do të luhen dy ndeshjet e fundit që mund të na sigurojnë kualifikimin e parë në fazën finale të një kampionati botëror si ai i vitit të ardhshëm.
Nga 8 ndeshjet e zhvilluara, kuqezinjtë fituan 4, barazuan 2 dhe humbën 2 të tjera, por ajo që bie në sy është sulmi dhe golat e pakët.
Nga të gjitha skuadrat e kualifikuara në play-off, 12 të tilla, kuqezinjtë janë sulmi i dytë më i dobët, me 7 gola të shënuar në 8 ndeshje. Më keq se ne ka bërë Kosova dhe Sllovakia, të dyja me nga 6 gola të shënuara.
Kjo padyshim që ka qenë një problematikë, ndër të tjera, nga Broja që nuk ka luajtur ende një ndeshje të plotë në Premier League, Bajrami që përfundoi pjesën e parë të sezonit në disa ndeshje në tribunë ose stol, dhe Daku që shënoi këtë fundjavë pas 2 muajsh pa shënuar.
Ndërkohë që mes legjionarëve që vetë Sylvinho ka përdorur në këtë aventurë kuqezi prej rreth 3 vitesh, disa emra të tjerë shënonin rregullisht apo edhe aktivizoheshin duke patur ritëm dhe efikasitet në klubet respektive.
Mes tyre është Anis Mehmeti, që aktivizohet në Championship në Angli, Taulant Seferi, që luan rregullisht dhe numëron 9 gola në 14 ndeshje, apo Ernest Muçi, i vetmi futbollist i dalë nga kampionati shqiptar në kombëtare, me një talent që në Turqi e vlerësojnë shumë dhe, fundjavën që shkoi, pas stabilizimit në ekipin e tij të ri, Trabzonspor, shënoi dy gola spektakolarë.
Por, pavarësisht shifrave pozitive të tyre në ekipin kuqezi, mungojnë prej shumë kohësh. Kështu, Anis Mehmeti, edhe pse është protagonist tek Bristoli, ndeshjen e fundit me kombëtaren e ka kaluar 2 vjet më parë, në qershor 2023; Ernest Muçi po ashtu ndeshjen e fundit e ka luajtur në qershor të vitit 2025, ndërkohë që Taulant Seferi ndeshjen e fundit ka qenë më 19 nëntor 2024, takimi i fundit i Ligës së Kombeve përballë Ukrainës.
Si këta emra, që u përdorën nga Sylvinho dhe nuk janë më, janë disa, por morëm shembull sulmin, si pikën tonë jo të fortë edhe në eliminatoret e fundit, edhe pse u kualifikuam.
Ndërkohë që Sylvinho përgatit ndeshjet e marsit, ndaj Polonisë dhe fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, këta lojtarë vazhdojnë, me sa duket, ta sfidojnë brazilianin, duke shënuar dhe duke i kërkuar reflektim ndoshta, për të qenë edhe më të fortë atëherë kur na duhet, në sfidat më të rëndësishme të marsit, që mund të na çojnë në fazën finale të botërorit, për herë të parë në histori.
Top Channel