Live Chelsea-Barcelona/ Katalanasit ngelin me 10 lojtarë, mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Bluve (Video)
Atletico Madridi i Diego Simeones po përgatitet për sfidën e rëndësishme kundër Interit në ndeshjen e pestë të fazës së grupeve të Champions League, një duel që trajneri argjentinas e vlerëson maksimalisht. Në konferencën për shtyp, Cholo nuk i kurseu lëvdatat për zikaltrit.
“Ata janë një ekip që luan shumë mirë, me personalitet dhe ide të qarta sulmuese,” tha Simeone. “Dominuan ndaj Milanit, krijuan shumë raste… mund ta kishin fituar ndeshjen. Në Champions, numrat e tyre flasin vetë: dy finale të luajtura. Janë një nga favoritët për të fituar trofeun.”
E ardhmja në stol? Simeone nuk e mohon Interin
Ish-mesfushori i Interit — që ka luajtur në klubin zikaltër nga viti 1997 deri në 1999 — u pyet edhe për mundësinë që një ditë të drejtojë ekipin në të cilin ka lënë gjurmë si lojtar.
“Nuk mund të jem i sigurt, sepse nuk varet vetëm nga unë,” tha ai me buzëqeshje. “Por po, imagjinoj që gjatë karrierës sime si trajner mund të kaloj një periudhë te Interi.”
Fokusi te ndeshja dhe roli i tifozëve
Sa i përket përballjes së sotme, Simeone kërkoi përqendrim maksimal:
“Çdo ndeshje është e rëndësishme. Duhet të përmirësohemi në disa aspekte, por jemi në rritje. Në shtëpi kemi gjithmonë një avantazh të madh — tifozët tanë. Ata janë një forcë lëvizëse dhe mezi presim t’i kemi pranë.”
Trajneri komentoi edhe gjendjen e lojtarëve kyç, si portieri Oblak dhe sulmuesi Giuliano Simeone, duke theksuar se vendimet do të varen nga vlerësimet mjekësore. Për kapitenin Koke, që sapo ka arritur shifrën historike prej 700 paraqitjesh, Cholo u shpreh: “Një lojtar thelbësor. Po i menaxhojmë ngarkesën me kujdes dhe shpresojmë të vazhdojë kështu.”
Shaka për “precedentin” me Interin
Në fund, Simeone iu rikthye me humor duelimit të vitit 2024, kur Atletico eliminoi Interin me penallti: “Tani ka trajner tjetër, disa gjëra kanë ndryshuar… por Interi mbetet një skuadër fantastike. Edhe lojtarët që erdhën nga stoli kundër Milanit treguan nivel të lartë.”
Top Channel