Të drejtat e reja televizive për Champions-in, ja si ndahen fitimet mes pesë ligave kryesore
Napoli hyn në javën e 5-të të Ligës së Kampionëve nën presion të madh, pasi ka grumbulluar vetëm katër pikë në katër ndeshjet e para.
Skuadra e Antonio Contes do të përballet me Qarabag në “Diego Armando Maradona”, në një moment ku dëmtimet kanë goditur rëndë skuadrën, por fitorja ndaj Atalantës në Serie A ka rikthyer energjinë dhe besimin.
“Duhet të vendosim helmetat tona sepse jemi në një situatë të vështirë,” deklaroi Conte në konferencën për shtyp. “Por po hyjmë në ndeshje me energji pozitive. Do të na duhet shumë intensitet kundër një skuadre që ka qenë zbulimi i kësaj Lige të Kampionëve.”
Trajneri italian kujtoi edhe përvjetorin e ndarjes nga jeta të Diego Maradonës, duke pranuar se një fitore do të ishte mënyra ideale për ta nderuar legjendën: “E dimë çfarë përfaqëson Diego për këtë qytet. Do të ishte e bukur ta nderonim me tri pikë. Qarabag ka marrë shtatë pikë kundër rivalëve si Benfica dhe Chelsea, janë një ekip me ritëm të lartë dhe lojtarë cilësorë.”
Conte konfirmoi se Hojlund dhe Rrahmani do të jenë të gatshëm, por situata e Gilmour dhe Spinazzola mbetet e paqartë: “Shpresoj që fati të na buzëqeshë sepse që nga fillimi i vitit kemi përjetuar një situatë të paparashikueshme. Nuk e di kohën e rikuperimit për ta, por nuk janë dëmtime muskulore.”
Trajneri vuri në dukje se ndaj Atalantës aktivizoi pesë lojtarë ndryshe nga sezoni i kaluar, duke theksuar nevojën për të përfshirë të gjithë grupin: “Duhet të rimbushim bateritë. Do të jetë një ndeshje e lodhshme fizikisht, por vijmë nga një rezultat pozitiv dhe humor i mirë. Të rinjtë dhe lojtarët e ardhur rishtazi duhet të rriten dhe të përgjigjen.”
Sa i përket Neres dhe Lang, Conte u shpreh optimist: “Në Bergamo pashë përgjigje shumë të mira. Tani duhet të vazhdojnë të japin konfirmime.”
Conte pranoi se skema me tre mbrojtës nuk është zgjedhja e tij e preferuar, por një detyrim i situatës: “Po e bëjmë domosdoshmërinë një virtyt. Mund të mbrohemi në një mënyrë dhe të sulmojmë në një tjetër.”
Conte e mbylli duke dhënë një përditësim për Romelu Lukakun: “Ai nuk është gati as për stolin kundër Romës. Ka ende shumë punë. Është një lojtar thelbësor dhe karizmatik, i rëndësishëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj. E kemi shumë të nevojshëm.”
Top Channel