Sfida e Juventusit në transfertë ndaj Bodø/Glimt në Champions rrezikon të kthehet në një mision të vështirë në “territor armiqësor”.

Të martën mbrëma, 300 km në veri të Rrethit Arktik, bardhezinjtë jo vetëm që do të përballen me kundërshtarët norvegjezë, por edhe me një stuhi të fortë dimërore që mund të ndikojë drejtpërdrejt në ndeshje.

Autoritetet norvegjeze kanë lëshuar një alarm të plotë për motin në zonë, me rrezik të lartë reshjesh të dendura dëbore gjatë zhvillimit të ndeshjes. Sipas parashikimeve, nga ora 19:00 deri në mesnatë priten 5–10 cm dëborë e freskët, sasi që pritet të mbulojë të gjithë pjesën e lojës.

Temperaturat do të variojnë nga -1°C deri në +1°C, por ndjesia termike pritet të jetë shumë më e ulët. Erërat e forta perëndim–jugperëndim që vijnë nga Deti Norvegjez mund ta çojnë ndjesinë e ftohtit deri në -10°C. Bora pritet të intensifikohet veçanërisht në fillim dhe në fund të ndeshjes, duke ulur dukshmërinë dhe duke rritur rrezikun e ndërprerjes.

Ndeshja do të luhet në një fushë sintetike, element që e bën situatën edhe më të rrezikshme në kushtet e borës së dendur. Akumulimi i madh i dëborës mund ta detyrojë gjyqtarin të ndalojë përkohësisht lojën për pastrimin e vijave të fushës.

Edhe vendasit janë shqetësuar nga parashikimi i motit. Trajneri Kjetil Knutsen tha: “Shpresoj që të dyja ekipet të jenë në gjendje të luajnë futboll, por ne nuk jemi institut i motit.”

Juventusi pritet të përballet me një sfidë të dyfishtë: kundërshtarin në fushë dhe natyrën e ashpër të Arktikut.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta