Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të kohëve të fundit në Vietnam kanë vrarë të paktën 90 persona brenda një jave, sipas një bilanci të ri të publikuar nga Ministria e Mjedisit të hënën.

Më shumë se 60 nga 90 personat që vdiqën ishin në provincën malore qendrore të Dak Lak, ku dhjetëra mijëra shtëpi u përmbytën, tha ministria. Një bilanci i mëparshëm, fliste për 55 të vdekur.

Pjesët jugore dhe qendrore të vendit të Azisë Juglindore janë goditur nga shirat e rrëmbyeshëm që nga fundi i tetorit, duke shkaktuar përmbytje të përsëritura që kanë përmbytur destinacione turistike dhe vende historike.

Lagje të tëra u përmbytën në qytetin bregdetar jugor të Nha Trang javën e kaluar. Ndërkohë, rrëshqitjet e dheut goditën kodrat përreth Da Lat (jug), i cili është veçanërisht i popullarizuar tek turistët.

Sot, shumë pjesë të autostradave mbetën të pakalueshme për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut, sipas Ministrisë së Mjedisit, e cila sqaroi se e njëjta gjë vlen edhe për disa pjesë të rrjetit hekurudhor.

Në të njëjtën kohë, më shumë se 129,000 klientë mbetën pa energji elektrike, nga deri në një milion qytetarë që pësuan ndërprerje të energjisë javën e kaluar.

Ministria e Mjedisit vlerëson se dëmi ekonomik për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në pesë provinca arrin në rreth 300 milionë euro.

Ngjarje ekstreme të motit të përsëritura

Vietnami zakonisht përjeton shira të rrëmbyeshëm nga qershori deri në shtator. Megjithatë, shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po i bëjnë ngjarjet ekstreme të motit më të shpeshta, më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese.

Çdo gradë Celsius më e ngrohtë do të thotë që atmosfera mund të mbajë 7% më shumë lagështi, duke i bërë reshjet më intensive, paralajmërojnë ekspertët.

Midis janarit dhe tetorit, fatkeqësitë natyrore lanë 279 persona të vdekur ose të zhdukur në Vietnam dhe shkaktuan dëme prej 1.7 miliardë eurosh, sipas shifrave zyrtare.

Në fillim të tetorit, vendi u godit nga dy tajfunë vdekjeprurës dhe në fillim të nëntorit, një i tretë vrau gjithashtu shumë njerëz.

Në fund të tetorit, qyteti i Hue (qendror), një destinacion turistik që tërheq shumë njerëz, veçanërisht falë monumenteve të tij perandorake, theu rekordin kombëtar të reshjeve që daton që nga viti 1999: regjistroi 1.7 metra reshje në 24 orë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta