‘Nuk duam ta shohim Ukrainën të shembet’/ Plani amerikan për paqen, nisin në Gjenevë bisedimet mes Zelensky dhe SHBA-së

23/11/2025 13:29

Shtytja e administratës Trump për një marrëveshje paqeje në Ukrainë mori vrull të dielën, ndërsa të dërguarit amerikanë mbërritën në Gjenevë për bisedime me Presidentin Volodymyr Zelensky, që nisën të dielën.

Pavarësisht skepticizmit të gjerë, zyrtarët e SHBA-së theksojnë se diskutimet do të jenë fleksibile dhe jo një ultimatum ndaj Kievit.

Në Gjenevë kanë mbërritur zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, Ukraina dhe këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Bashkimi Evropian, Franca, Britania dhe Gjermania, për të diskutuar mbi planin amerikan për t’i dhënë fund luftës. Delegacionin e SHBA-së e kryesojnë i dërguari special Steve Witkoff dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndërsa Sekretari i Ushtrisë Daniel Driscoll kishte mbërritur më herët. Delegacioni ukrainas ishte në qytetin zviceran që nga mbrëmja e së shtunës.

Sipas një burimi amerikan, qëllimi kryesor i takimeve është finalizimi i detajeve përfundimtare të planit amerikan. “Shpresojmë të mbyllim pikat e fundit… për të formësuar një marrëveshje në dobi të Ukrainës”, tha zyrtari, duke shtuar se “asgjë nuk do të përfundohet pa takimin mes dy presidentëve”, duke iu referuar Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, sipas Washington Post, administrata amerikane pranon se garancitë aktuale të sigurisë në draft-planin me 28 pika “nuk janë ende mjaftueshëm të forta”. Ndryshimet e mundshme përfshijnë rishikimin ose heqjen e kufirit prej 600,000 trupash për Forcat e Armatosura të Ukrainës, si dhe mundësinë që Ukraina të pajiset me raketa Tomahawk si pjesë e garancive të sigurisë, nëse arrihet një marrëveshje.

“Sovraniteti i Ukrainës nuk mund të vihet kurrë në diskutim. Kjo do të hapte rrugën për destabilizim në gjithë Evropën”, tha një zyrtar i lartë amerikan. Ai shtoi se SHBA-të “nuk duan të shohin Ukrainën të shembet”, duke e përshkruar një skenar të tillë si “një Jugosllavi të dytë”. Kritikët e planit të Trump paralajmërojnë se nisma mund të shpërblejë Moskën dhe të minojë sovranitetin ukrainas — pretendime që Uashingtoni i mohon.

I njëjti burim nënvizoi se administrata Trump mbetet “100 për qind e përkushtuar” për vazhdimin e mbështetjes së inteligjencës për Ukrainën.

Plani me 28 pika përshkruhet si “ambicioz” dhe i hapur për ndryshime. Megjithatë, deklaratat e Presidentit Trump kanë shkaktuar konfuzion: të premten ai përmendi afatin e Ditës së Falënderimeve për një marrëveshje, ndërsa të shtunën mohoi se propozimi ishte përfundimtar.

Bisedimet në Gjenevë zhvillohen në një klimë të mbushur me diplomaci intensive, ndërsa SHBA-ja përpiqet të ndërtojë një kornizë paqeje të pranueshme për Kievin dhe aleatët e tij, në kushtet e skepticizmit ndërkombëtar.

Drafti i planit parashikon garanci të forta sigurie për Ukrainën, por gjithashtu parashikon kufizimin e ushtrisë së saj në 600,000 trupa. Burime të ndryshme kanë raportuar se Uashingtoni ka ushtruar presion mbi Kievin për pranimin e planit, duke sugjeruar se refuzimi mund të ndikojë në shkëmbimin e informacionit dhe furnizimin me armë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta