Tatiana Schlossberg, mbesa e ish-Presidentit Kennedy, zbulon se është diagnostikuar me kancer: Mjeku më tha se më ka mbetur një vit jetë

22/11/2025 19:13

Tatiana Schlossberg, mbesa e ish-Presidentit John F. Kennedy, zbuloi të shtunën se është diagnostikuar me kancer terminal, me një mjek që i tha asaj se i ka mbetur më pak se një vit jetë.

Në një ese në The New Yorker, 35-vjeçarja shkroi se vitin e kaluar u diagnostikua me leuçemi akute mieloide me një mutacion të rrallë të njohur si Inversioni 3, një anomali gjenetike e gjetur në më pak se 2% të rasteve të AML-së.

Mjekët zbuluan kancerin menjëherë pasi Schlossberg lindi vajzën e saj në maj 2024.

«Nuk mund ta besoja — nuk mund ta besoja — se po flisnin për mua», shkroi Schlossberg. «Kisha notuar një milje në pishinë një ditë më parë, nëntë muajshe shtatzënë. Nuk isha e sëmurë. Nuk ndihesha keq. Në fakt, isha një nga njerëzit më të shëndetshëm që njihja».

Në ese, Schlossberg dokumenton procesin e mundimshëm të trajtimit, i cili përfshinte disa raunde kimioterapie, dy transplante të palcës dhe pjesëmarrje në dy prova klinike. Schlossberg tha se në shtator iu diagnostikua edhe një formë e virusit Epstein-Barr, i cili “i dëmtoi veshkat” dhe iu desh të mësonte të ecte përsëri.

«Gjatë provës së fundit klinike, mjeku më tha se mund të më mbante gjallë për një vit, ndoshta», shkroi ajo.

Schlossberg, një gazetare mjedisore, është vajza e dytë e ish-ambasadores amerikane Caroline Kennedy dhe stilistit Edwin Schlossberg. Tatiana Schlossberg dhe bashkëshorti i saj, George Moran, kanë një djalë 3 vjeç dhe një vajzë 1 vjeçe.

Schlossberg tha se vëllezërit e motrat e saj – Rose, një regjisore, dhe Jack, i cili më parë këtë muaj njoftoi kandidimin për në Kongres – e kanë ndihmuar në rritjen e fëmijëve të saj dhe “më kanë mbajtur dorën pa u lëkundur ndërsa kam vuajtur, duke u përpjekur të mos tregoj dhimbjen dhe trishtimin e tyre në mënyrë që të më mbrojnë prej saj”.

Schlossberg e përshkroi trajtimin që kaloi ndërsa kushëriri i saj, Robert F. Kennedy Jr., u konfirmua si sekretar i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, pasi “kandidoi për President si i Pavarur, por kryesisht si një turp për mua dhe pjesën tjetër të familjes sime të ngushtë”.

Ajo tha se mjekët në Qendrën Mjekësore Irving të Universitetit NewYork-Presbyterian/Columbia, ku ajo u trajtua, nuk e dinin nëse do të prekeshin pasi administrata Trump i hoqi fondet federale Universitetit Columbia. “Papritmas, sistemi i kujdesit shëndetësor në të cilin mbështetesha u ndje i tendosur dhe i paqëndrueshëm”, shkroi Schlossberg. Universiteti më vonë ra dakord për një marrëveshje me administratën Trump për të rivendosur financimin.

Schlossberg tha se i vjen keq që i ka shtuar historisë së tragjedisë familjes së saj diçka, e cila përfshin vrasjen e John F. Kennedy në vitin 1963 dhe vrasjen e xhaxhait të saj të madh, ish-Prokurorit të Përgjithshëm Robert F. Kennedy, në vitin 1968.

«Gjatë gjithë jetës sime, jam përpjekur të jem e mirë, të jem një studente e mirë, një motër e mirë dhe një bijë e mirë, dhe ta mbroj nënën time dhe të mos e bëj kurrë të mërzitet ose zemërohet», shkruan ajo. «Tani i kam shtuar një tragjedi të re jetës së saj, jetës së familjes sonë, dhe nuk ka asgjë që mund të bëj për ta ndaluar atë».

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta