Plani i paqes Rusi-Ukrainë, ministri i Jashtëm gjerman: Trump bën presion, Gjermania paralajmëron
Përfaqësuesja republikane e Georgias Marjorie Taylor Greene, ka njoftuar se do të largohet nga Kongresi në janar, duke i dhënë fund një karriere pesëvjeçare të mbushur me polemika, përplasje politike dhe kthesa të forta brenda Partisë Republikane.
Lajmin e bëri publik vetë Greene në rrjetet sociale, vetëm pak ditë pasi marrëdhëniet mes saj dhe presidentit Donald Trump u tensionuan. Trump e quajti atë “tradhtare” dhe deklaroi se do të mbështeste një rival republikan kundër saj në zgjedhjet e ardhshme.
Greene paralajmëroi se republikanët rrezikojnë të humbasin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. “Kam shumë respekt për veten dhe familjen time, nuk dua që distrikti im të kalojë përmes një beteje të tillë,” shkroi ajo.
Vendimi i saj vjen pas një periudhe të tensionuar që përfshiu jo vetëm përplasjen me Trump, por edhe kërcënime të drejtpërdrejta për jetën e saj. Në një intervistë për CNN, Greene kërkoi ndjesë për “retorikën toksike” të së kaluarës dhe foli për kërcënimet që, sipas saj, janë shtuar ditët e fundit.
E zgjedhur për herë të parë në vitin 2020, Greene u bë një nga figurat më të zëshme dhe më polemike të Partisë Republikane, e njohur për teoritë konspirative dhe deklaratat nxitëse, shpesh të dënuara publikisht edhe nga anëtarë të partisë së saj. Ajo u largua nga Freedom Caucus pas një konflikti të brendshëm dhe humbi komisionet kongresuale pas deklaratave që mbështesnin dhunën kundër demokratëve.
Kohët e fundit, Greene u pozicionua hapur kundër Trump, duke e kritikuar për fokus të tepërt në politikën e jashtme dhe për mungesë të veprimit në çështjet e brendshme. Ajo madje u rreshtua përkrah demokratëve për çështjen e subvencioneve të programit Affordable Care Act, ndërsa akuzoi administratën për fshehje të dosjeve të rastit Jeffrey Epstein.
Pas rezistencës së fortë politike, Trump firmosi këtë javë një ligj për transparencën e dosjeve të Epstein, një fitore që Greene e mbështeti fuqishëm.
Largimi i saj pritet të krijojë menjëherë tronditje në Kongres, ku kryetari Mike Johnson tashmë përballet me një shumicë minimale dhe tensione të vazhdueshme brenda kampit republikan.
Së fundi, Greene surprizoi opinionin politik duke vlerësuar ish-kryetaren demokrate Nancy Pelosi, për të cilën tha: “Ajo pati një karrierë të jashtëzakonshme për partinë e saj. Jam impresionuar nga aftësia e saj për të realizuar gjëra.”
E ardhmja politike e Greene mbetet e paqartë, ndërsa burime pranë saj thonë se për momentin nuk ka ndërmend të kandidojë për ndonjë post tjetër.
Top Channel