“Nëse nuk e pranoni këtë marrëveshje, tjetra do të jetë më e keqe”/ SHBA-të i bëjnë presion Zelensky-t, takimi vendimtar nesër në Gjenevë Ish presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro është arrestuar nga Policia Federale me pretendimin se byzylyku elektronik i kyçit të këmbës, të cilin e kishte mbajtur që nga korriku i këtij viti, ishte manipuluar në orët e para të mëngjesit.
I dënuar me 27 vjet e gjashtë muaj burg për tentativën e një grushti shteti dhe krime të tjera të rënda, Bolsonaro u mor në orën 6 të mëngjesit nga shtëpia e tij në kryeqytet, ku kishte qëndruar në arrest shtëpiak që nga 4 gushti. Kreu i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes, që është dhe akuzuesi kryesor i Bolsonaros, urdhëroi paraburgimin e tij – “pa përdoruar prangat dhe pa ekspozim ndaj publikut”. Vendimin për dërgimin e tij në burg, De Moraes e justifikoi duke përmendur “rrezikun e arratisjes”.
Sipas gjyqtarit, manipulimi i byzylykut elektronik tregon një përpjekje arratisjeje, ndoshta në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, duke përfituar nga një event që kishte organizuar nga djali i tij Flavio përpara bllokut të apartamenteve ku ai jeton.
“Është e rëndësishme të theksohet se apartamenti i të pandehurit ndodhet afërsisht 13 kilometra nga sektori jugor i ambasadave në Brazilia, pikërisht aty ku ndodhet edhe misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara, një distance kjo që me makinë mund të përshkohet për rreth 15 minuta”, theksoi Moraes.
Kurrë më parë Brazili nuk kishte nxjerrë në gjyq një udhëheqës me akuzën e një grushti shteti, thotë Corriere della Sera. De Moraes, e krahason ish-presidentin me një bos mafioz dhe insiston se ai është truri i një komploti të organizuar para se të humbiste zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 ndaj rivalit të tij të krahut të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, madje duke komplotuar vrasjen e tij, si dhe atë të zëvendëspresidentit dhe vetë De Moraesit. Një grup mbështetësish të Bolsonaros mësynë ndërtesat qeveritare në 8 janar 2023, shtatë ditë pas inaugurimit të Lulës si president.
Donald Trump e pati kritikuar ashpër vendimin kundër Bolsonaros, duke pretenduar se “kjo është ajo që ata u përpoqën të bënin dhe me mua dhe dështuan”, dhe e goditi Brazilin me tarifa rekord prej 50% në shenjë hakmarrjeje ndaj asaj qe e quajti një “gjueti shtrigash”.
Top Channel