Emri/ Në kërkim nga autoritetet belge për trafik droge, pranga 39-vjeçarit shqiptar në Greqi
INFORMACION MBI SITUATËN E RESHJEVE NË QARKUN KORÇË, DATË 21/11/2025, ORA 08:30:
Prefektura e Qarkut Korçë bën me dije se gjatë natës e orëve të para të mëngjesit janë evidentuar disa problematika të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme në territor. Strukturat përgjegjëse po punojnë në terren për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve.
Bashkia Korçë:
Në ambientet e Prokurorisë së Korçës pati prezencë uji në bodrum dhe në arkivë. Ekipet përkatëse vijuan punën gjatë natës për thithjen e ujit, me qëllim ruajtjen e dokumentacionit dhe situata është e stabilizuar.
Bashkia Maliq:
Në Bllokun 3 Maliq është shënuar një masë elektrike dhe dyshohet mungesë energjie në një pjesë të qytetit. OSHEE ka verifikuar situatën dhe për shkak të prezencës së ujit ka bërë stakimin e fidrit. Po punohet për largimin e ujit dhe rikthimin e energjisë.
Në Sovjan, MZSH ka evakuuar fillimisht banorët, gjënë e gjallë dhe kosheret e bletëve. Situata drejt normalizimit.
Në Leshnjë raportohet për bagëti të mbytura. Strukturat vendore ndodhen në terren.
Në lagjen përballë fshatit Vlocisht ka prezencë uji në oborre banesash. MZSH po ndërhyn për normalizimin e gjendjes.
Lumi Dunavec është çarë në dy pika, duke shkaktuar përmbytje në disa sipërfaqe të tokave bujqësore. Aktualisht po vjen mjet për ndërhyrje nga Pogradeci.
Bashkia Pustec:
Raportohet rrezik daljeje të përroit në rrugën kombëtare Doganë–Goricë e Vogël. Monitorimi po vijon nga strukturat përgjegjëse.
Aksi Zvezdë – Goricë ka prezencë inertesh të sjella nga reshjet. Kontraktori është në terren dhe po kryen pastrimin e rrugës.
Bashkia Devoll:
Në fshatin Progër situata vazhdon të mbetet e përkeqësuar, nisur nga reshjet e shumta të natës së kaluar.
Probleme janë evidentuar gjithashtu edhe në fshatin Mancurisht.
Në fshatin Dobranj ka nevojë për një ndërhyrje urgjente në daljen e përroit, pasi uji ka përmbytur tokat bujqësore.
Rruga Miras – Arrëz ka pësuar shkarje të dheut dhe gurëve. Po dërgohen punonjës për ta verifikuar situatën në terren.
Në Poloskë jemi njoftuar se është përmbytur një banesë. Gjatë natës është vendosur një pompë për largimin e ujit.
Në Qytezë raportohet shkarje dheu.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. Prefektura vijon monitorimin dhe koordinimin me të gjitha strukturat përgjegjëse për garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Top Channel