Reshjet e dendura rrisin sërish nivelin e Vjosës/ Mbi 14 familje të evakuuara, situata mbetet e paqëndrueshme
Reshjet e dendura të natës kanë shkaktuar probleme serioze në disa bashki të nënprefekturës Sarandë, duke vështirësuar qarkullimin dhe shkaktuar dëmtime në infrastrukturë.
Rruga Delvinë–Kardhiq ishte e pakalueshme për disa orë për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe dherave, por pas ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës është bërë e mundur hapja e saj.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Çukë, ku argjinatura është çarë gjatë natës dhe uji ka vërshuar në fushat përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në Delvinë vijojnë prurjet e dherave dhe gurëve, të cilat po krijojnë probleme të reja përgjatë akseve rrugore. Vështirësi të shumta janë raportuar edhe në bashkinë Konispol, ku brenda qytetit ka rënie dherash dhe gurësh. Në aksin Shkallë–Konispol–Qafë Botë, situata është rënduar aq sa rruga është bërë e pakalueshme.
Ndërkohë, lumi Pavllo ka dalë nga shtrati në zonën e quajtur Vilë, duke bllokuar rrugën nacionale. Ura që lidh fshatin Shalës me fshatrat Markat, Ninat dhe Janjar është shembur, duke izoluar zonën dhe duke krijuar emergjencë për lëvizjen e banorëve.
Autoritetet ndodhen në terren, por reshjet e vazhdueshme po e bëjnë situatën gjithnjë e më të vështirë.
Top Channel