Gjykata e Posaçme vendos, ja kur do të mbahet seanca e verifikimit të kushteve për masën ndaj Belinda Ballukut
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të rezervave hidrike në kaskadën e Drinit, duke ndryshuar ndjeshëm situatën e krijuar nga thatësira e zgjatur.
Veçanërisht në Hidrocentralin e Fierzës, prurjet kanë qenë mjaft të larta. Gjatë 24 orëve të fundit, në liqenin e Kukësit janë matur rreth 900 metra kub ujë për sekondë, çka ka mundësuar një akumulim të shpejtë të ujit në rezervuarin më të madh hidroenergjetik të vendit.
Aktualisht, niveli i ujit ka arritur në 272 metra, ndërsa kuota maksimale është 298 metra dhe ajo minimale 248 metra.
Ky nivel prej 272 metrash konsiderohet optimal për një prodhim të qëndrueshëm dhe të konsiderueshëm të energjisë elektrike nga katër agregatët e HEC-it të Fierzës. Situata përputhet me karakteristikat tipike të stinëve të vjeshtës dhe dimrit, të cilat zakonisht shoqërohen me reshje të bollshme dhe rritje të prurjeve në lumenj.
Kujtojmë se vetëm një muaj më parë, kaskada e Drinit shënoi minimumin historik, duke zbuluar madje edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit—një tregues i fortë i mungesës së ujit dhe presionit që thatësira ushtronte mbi prodhimin energjetik. Sot, falë reshjeve, situata paraqitet ndjeshëm më e stabilizuar, duke krijuar kushte më të favorshme për sigurimin e energjisë elektrike në vend.
Top Channel