Rriten rezervat hidrike në Drin, Reshjet e fundit rikthejnë nivelin optimal të ujit në hidrocentralin e Fierzës
Reshjet e vazhdueshme të ditëve të fundit kanë krijuar situata problematike në disa zona të Bashkisë Devoll, duke sjellë dëmtime të infrastrukturës dhe vështirësi në qarkullim.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë terrenin.
Në fshatin Arzë, ura kryesore është bërë e pakalueshme për mjetet, ndërsa është konstatuar edhe çarje në trotuarin që lidh dy lagjet, duke rrezikuar lëvizjen e banorëve. Janë marrë masa për devijimin e trafikut dhe sigurimin e zonës.
Në Njësinë Administrative Hocisht janë përmbytur disa sipërfaqe bujqësore. Rrugët e Stropanit dhe Grapshit janë prekur nga rrëshqitje dheu, të cilat po vështirësojnë qarkullimin. Ekipet e bashkisë po punojnë për pastrimin e segmenteve.
Në fshatin Pilur janë regjistruar rrëshqitje dheu që kanë bllokuar rrugën e një lagjeje, ndërsa në disa banesa ka depërtuar ujë. Ekipet e emergjencave dhe grupet e ndërhyrjes së shpejtë po punojnë për zhbllokimin dhe normalizimin e situatës.
Në Proger, uji ka dalë mbi nivel në rrugën kryesore të fshatit, duke krijuar probleme për lëvizjen e banorëve.
Shkarje dhe rënie gurësh janë evidentuar edhe në rrugën Miras–Arrëz, duke penguar qarkullimin. Punonjësit e bashkisë ndodhen në terren dhe ndërhyrjet për pastrim janë në vijim.
Bashkia Devoll njofton se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës, zhbllokimin e akseve dhe mbrojtjen e banorëve. Shtabi i Emergjencave Civile po monitoron në mënyrë të vazhdueshme zonat e prekura.
Institucionet apelojnë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik dhe të raportojnë çdo problematikë tek strukturat përkatëse.
Në Qafë Plloçë në aksin e vjetër ka prezencë të shtuar të inerteve në rrugë. Edhe pse është një aks jo shumë i frekuentuar pas hapjes së re të rrugës Qukës-Qafë Plloçë përsëri evidentohen lëvizje. Inerte dhe dhera evidentohen përgjatë kësaj rruge.
Edhe në rrugën e re Qukës Qafë Plloçë ka shkarje të lehta të dheut në anë të rrugës teksa aktualisht evidentohet prania e grupeve të punës në terren gjithashtu në disa zona ka rrëzim të pemëve.
Top Channel